Mbretëresha Elizabeth do të takojë Presidentin e SHBA Joe Biden dhe Zonjën e Parë Jill Biden në shtëpinë e saj në Windsor Castle në përfundim të samitit G7 i cili fillon në Britani javën e ardhshme, tha Pallati Buckingham të enjten.
Biden do të bëhet presidenti i 13-të amerikan që mbretëresha 95-vjeçare ka takuar gjatë mbretërimit të saj rekord dhe do të jetë pritja e saj e parë e madhe që nga vdekja e Princ Philip në prill.
Britania po pret liderët e G7 në Cornwall, Angli, në atë që do të jetë udhëtimi i parë i presidentit amerikan jashtë që prej kur ai mori detyrën në janar, dhe ngjarja më e madhe ndër takimet ndërkombëtare që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19.
Pallati Buckingham nuk dha detaje të tjera në lidhje me takimin midis mbretëreshës dhe Biden i cili do të zhvillohet në 13 qershor.
Monarkja britanike ka kaluar një pjesë të madhe të pandemisë në Ëindsor, kështjella më e vjetër dhe më e madhe e banuar në botë e vendosur në perëndim të Londrës dhe mjedisin për martesën e nipit të saj Princ Harry dhe gruas së tij amerikane Meghan në 2018.
Po atë vit, mbretëresha priti ish-Presidentin Donald Trump në kështjellë ndërsa Barack Obama gjithashtu e vizitoi atje në 2016-ën, një ditë pas ditëlindjes së saj të 90-të.