Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 20 vite burg për efektivin Nevaldo Hajdarajn. Duke pasur parasysh gjykimin e shkurtuar, i cili është pranuar, efektivit të policisë do ti ulet 1/3 e dënimit, duke marrë një dënim 13 vite e 4 muaj burg, në rast se pretenca do të pranohet nga Gjykata. Sipas prokurorisë vrasja është kryer me dashje. Ndërkohë prezent në sallë e gjyqit ka qenë edhe babai i Klodian Rashës, Qazim Rasha.
Ngjarja – Rreth orës 01:45 të datës 8 dhjetor 2020, në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë, një patrullë policie përpiqet të ndalojë një të ri 25 vjeçar, pasi po kryente veprime të dyshimta si dhe kishte shkelur Aktin Normativ për ndalimin e lëvizjes pas orës 22:00 për shkak të pandemisë së COVID-19. I riu, Klodian Rasha, nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe u largua me vrap.
Polcia u vu në ndjekje të tij dhe më pas në një moment oficeri i policisë Nevaldo Hajdaraj e qëlloi të riun me dy plumba, një në shpatull dhe një në kokë, duke e plagosur rëndë. Klodiani më pas ndërroi jetë në spital. Sipas oficerit të policisë, Klodiani i drejtoi policisë një send të fortë, në dukje armë dhe në mungesë të ndriçimit të mjaftueshëm, ai e qëlloi. Disa orë më vonë, rreth 100 m larg vendit të ngjarjes, policia gjeti një armë, për të cilën dyshoi se i përkiste viktimës.
Oficeri i policisë që qëlloi mbi viktimën, u arrestua dhe u akuzua nga SHÇBA (Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat) për “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Sipas SHÇBA, u dyshua se efektivi i policisë nuk kishte zbatuar procedurat standarde për përdorimin e armëve të zjarrit.