Në Gjykatën Kushtetuese ka nisur seanca për ligjin e Teatrit Kombëtar. Padia për shembjen e godinës së teatrit u bë nga presidenti Ilir Meta në vitin 2019. Bledar Dervishaj, këshilltar ligjor i Presidentit, është shprehur se Këshilli i Ministrave ua ka vënë dje në dispozicion dokumentet. Sipas tij, prej dy vitesh kërkojnë prova nga institucionet, dhe ende nuk janë marrë dot të plota në presidencë.
“Ne duam të njihemi dhe t’i studiojmë materialet që kanë ardhur dje. 24 orë nuk na mjaftojnë për të hyrë në themel. Nuk mund të shprehemi në këtë seancë.”
Këshilltar i Presidentit ka kërkuar të merren nga Gjykata Kushtetuese provat shtesë si:
- Kopje të shitblerjes së pronës truall nga Francesko Jakomoni dhe trashëgimtareve të familjes Libohova ku u ndërtua teatri kombëtar
- Kopje të lejes së ndërtimit nga Mbreti Zog për ndërtimin e teatrit
- Kopje e projektit të arkitektit për ndërtimin e teatrit
- Akte që vërtetojnë ndryshimin e qëllimit të përdorimit të Godinës
- Kopjen e praktikës së shpalljes së Ansamblit të Teatrit monument kulture
- Hartat e përdorura për shpalljen e kësaj zone të trashëgimisë historike
- Kopje të diskutimeve shkencore të Monumenteve të Kulturës 2004-2007 që ka vlerësuar monumentet historike në qendrën e Tiranës
- Listën e plotë të ndërtesave të përfshira në qendrën historike
- Kopje të praktikës institucionale ku pasqyrohet identifikimi i nevojës për miratimin e ligjit special për Teatrin
- Konsultimet para dhe pas hartimit të këtij ligji të posaçëm
- Mendimet e të gjitha institucioneve të përfshira gjatë konsultimit
- Diskutimet në këshillin e ministrave për këtë çështje
- Kopje të akteve se si Bashkia Tiranë ka ndërprerë negociatat për godinën
- Procesverbalet e komisionit të posaçëm nëse ai ka zhvilluar negociata me kompani të interesuara për të ndërtuar teatrin e ri dhe kostot financiare të secilës ofertë
- Kostot e gjetjes dhe përballimit të konsulencës
- Si u arrit në përfundimin që Shteti arriti në përfundimin për ta ndërtuar vetë, me para publike, dhe jo me koncesion
- Si u kalua trualli nga Ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë Tiranë? Duam praktikën e kësaj procedure.
- Kopje të akteve të nxjerra para gjatë dhe pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar
- Veprimet e Kryetarit të Bashkisë Tiranë pas kërkesës së KLSH-së për të pezulluar veprimet me teatrin deri në shprehjen e gjykatës
- KLSH i ka kërkuar Institutit të Monumenteve të Kulturës të detyrojë bashkinë ta ndërtojë teatrin, aty ku ishte, me të njëjtën arkitekturë.
“S’mund të ketë debat gjyqësor të plotë pa u marrë këto dokumente,” u shpreh Dervishaj.