Ministrja e Arsimit Rinis dhe Sporteve , Evis Kushi me anë të një video mesazhi në rrjetet sociale i ika uruar maturantëve suksese, të cilët ditën e nesërme zhvillojnë provimin e Gjuhës së Huaj. Kushio shprehet se ky është një çast i shumëpritur dhe se do të kurorëzoj punën dhe përpjekjen e tyre të shumë viteve dhe që do ti bëjnë krenarë të gjithë. Duke filluar nga vetë ata, prindërit e tyre, por edhe mësuesit e drejtuesit e institucioneve arsimore.
Ajo shprehet se e di shumë mirë që të gjithë maturantët kanë punuar shumë për të arritur rezultatet më të mira, ndërsa thekson se “jemi plotësisht të vetëdijshëm për vështirësitë që kanë pasur gjatë këtij viti të pazakontë”, duke nënvizuar se këto vështirësi janë reflektuar në procesin e hartimit dhe administrimit të testeve në Maturën Shtetërore.
“Dua t’ju siguroj që në këtë pikë ne jemi dhe do të vijojmë të jemi shumë të kujdesshëm, në mbështetjen tuaj, në mënyrë që secili prej jush të vlerësohet, nga njëra anë duke konsideruar vështirësitë e këtij viti, por nga ana tjetër edhe me meritokraci, duke bërë dallimin e më të mirëve”, -tha ministrja e Arsimit Evis Kushi.
Ajo ka vazhduar më tej duke iu shprehur mirënjohjen ndaj tyre që kanë arritur të duronin, mirëkuptonin dhe reflektonin për vitin e vështir pandemik dhe të pazakontë.
“Ju do të mbaheni mend si një maturë, që pavarësisht kushtëzimeve që solli pandemia COVID-19 dhe tërmeti i 26 Nëntorit, u përshtatët në një kohë rekord dhe nuk humbet asnjë sekondë nga procesi i mësimnxënies!”, ka thënë Kushi.
Kushi përmend faktin se gjatë vizitave në gjimnaze të ndryshme të vendit, ajo ka takuar shumë maturantë nga të cilët është befasuar nga formimi i tyre shumë i mirë, përgjegjshmëria dhe vetëdija e lartë për jetën. Për këtë arsye, shprehet ajo, është besimplotë se do t’ia dalin të gjithë me sukses dhe se vetë maturantët do të dëshmojnë qartë se Sfidat që mund të të rrëzojnë në jetë, të bëjnë të ringrihesh edhe më i fortë.
Në fund të video-mesazhit, Ministrja Kushi inkurajon ata që të japin më të mirën e tyre, pasi këto provime do të përcaktojnë drejtimin në të cilin do të hedhin hapat e mëtejshëm në jetë.
“Shumë suksese dhe mbarësi për të gjithë ju!”, uron ajo.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës ajo ka zhvilluar edhe një takim me vëzhguesit e 208 qendrave të provimit të Maturës Shtetërore në të gjithë vendin, ku është nënvizuar rëndësia e administrimit me përgjegjshmëri dhe kujdes maksimal i këtij procesi, në mënyrë që të garantohen standardet e arritura vitet e fundit lidhur me cilësinë, meritokracinë dhe transparencën për të gjithë maturantët.