Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takimk me të dërguarin të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe të dërguarin të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer. Gjatë takimit Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të përqendruara për menaxhimin e pandemisë dhe zbatimin e reformave për sundimin e ligjit. Më tej presidentja falenderoi SHBA-të dhe BE-në për mbështetjen gjatë pandemsië dhe për vaksinat e dhruara. Osmani foli edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin theksoi se duhet të përfundojë me njohjen reciproke mes dy shteteve.
Njoftimi i Presidencës:
Presidentja Osmani takohet me Palmer dhe Lajčák. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu sot pati një takim përmbajtësor me zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit amerikan, z. Mattheë Palmer dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, z. Miroslav Lajčák.
Në takim me ta, Presidentja Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të përqëndruara maksimalisht në menaxhimin e pandemisë, zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si prioritete themelore të institucioneve të vendit.
Ajo po kështu i falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në për përkrahjen që u kanë dhënë qytetarëve të Kosovës në këtë kohë të vështirë për të gjithë ne. Ajo shprehu mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për donacionin e vaksinave, dhe shprehu shpresën se edhe SHBA-të do të ndajnë një numër të vaksinave për qytetarët tanë.
Sa i takon procesit të dialogut me Serbinë, Presidentja ritheksoi qëndrimin e institucioneve se Kosova pret që procesi i dialogut të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve. Ajo ripërsëriti qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit. Për më tepër, Presidentja theksoi çështjen e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, si prioritet në këtë proces.
“Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme,” nënvizoi Presidentja Osmani.