Ambientalistët izraelitë janë të shqetësuar se Deti i Vdekur, pika më e ulët në Tokë, po zhduket. Kjo paraqet rreziqe mjedisore dhe mund të ndikojë në efektet e rralla shëruese të Detit të Vdekur. Jake Ben Zaken drejton varkën e tij të vogël drejt një formacioni të çuditshëm kripor që ka dalë mbi sipërfaqen e Detit të Vdekur. Deri vonë, këto formacione ishin të gjitha nën ujë, por deti po tkurret me shpejtësi. Ai beson se mjedisi i veçantë i Detit të Vdekur, pika më e ulët në tokë, duhet të mbrohet.
“Unë mendoj se Deti i Vdekur i përket botës. Ky është i vetmi vend në botë i këtij lloji, nuk ka asgjë të ngjashme në botë. Dhe unë mendoj se duhet ta mbrojmë atë”, thotë ai. Tkurrja e Detit të Vdekur është dokumentuar për vite me radhë nga organizata Projekti i Ringjalljes së Detit të Vdekur.
“Deti i Vdekur është aktualisht në pikën më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Ne po humbasim sasi uji të barazvlefshme me sasinë e ujit në 600 pishina olimpike në ditë. Po përpiqemi të bëjmë gjithçka që të kemi një vizion për të rimëkëmbur rrjedhën historike, për të shpëtuar Detin e Vdekur me çdo mënyrë”, thotë Noam Bedein nga Projekti i Ringjalljes së Detit të Vdekur.
Burimi kryesor i ujit të Detit të Vdekur është lumi Jordan, por rrjedha e tij është pakësuar në mënyrë drastike nga mungesa e reshjeve dhe mungesa e ujit në këtë rajon shkretëtire. Ndryshimi i klimës ka çuar në shfaqjen e papritur të mbi 6,000 gropave të mëdha dhe të rrezikshme, duke shkatërruar industrinë turistike në këtë zonë. Disa artistë mjedisorë izraelitë po përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin mbi tkurrjen e Detit të Vdekur dhe shfaqjen e gropave të rrezikshme, përmes vallëzimit, ekspozitave fotografike dhe artit me tema mjedisore.
“Metafora e vijave të kuqe është një referencë për enët e gjakut të Nënës Natyrë. Unë e shoh të gjithë këtë zonë si një profeci të asaj që do të ndodhë në botë nëse nuk do të kujdesemi për natyrën”, thotë artisti dhe aktivisti i mjedisit, Doron Gazit.Klinikat e “Terapisë Klimatike” të Detit të Vdekur kanë trajtuar mijëra pacientë që vuajnë nga sëmundje të lëkurës dhe probleme të frymëmarrjes. Ato shfrytëzojnë kushtet e rralla mjedisore të rajonit, duke përfshirë nivelet e larta të oksigjenit, rrezet ultravjollcë dhe ujin me minerale. Tani një studim i ri tregon se mjedisi i Detit të Vdekur mund të ndihmojë edhe pacientët me COVID-19.
“Për herë të parë ne po shohim se rrezet ultravjollcë mund të jenë të dobishme për pacientët me Covid-19. Në studimin e fundit kemi mësuar se këto rreze mund të parandalojnë vdekjet nga Covid-19″, thotë Dr. Marco Harari nga klinika DMZ. Ambientalistët këtu thonë se ka shumë arsye për të shpëtuar Detin e Vdekur dhe shpresojnë se ky studim do të rrisë ndërgjegjësimin për atë që duhet bërë për të ndalur tkurrjen e mëtejshme të tij.