Prokuroria e Tiranës ka rihapur dosjen e bujshme të 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë katër protestues. Mësohet se çështja e hapur do të fokusohet tek vrasja e njërit nga protestuesit Aleks Nikës. Kjo vrasje në atë kohë ngeli pa autor dhe nuk u mësua se nga cila armë ngeli i vrarë Alekis Nika, i cili ishte një nga protestuesit e opozitës së asaj kohe, pra 10m vite më parë.
Mësohet se do të kërkohet riekspertim se nga cila anë u qëllua i ndjeri Aleks Nika. Çështja është regjistruar në prokurorinë e Tiranës prej 1 muaj dhe hetimi po vijon me veprime konkrete.
10 vite më parë, më 21 Janari i vitit 2011, Garda e Republikës, asokohe nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, hapi zjarr ndaj protestuesve të thirrur nga Partia Socialiste para Kryeministrisë, ku mbetën të vrarë 4 protestues: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.
Kujtojmë se familjarët e katër viktimave e kanë apeluar vendimin dhe në Gjykatën Europiane. Çështja u dërgua në Gjykatën Europiane të të drejtave të Njeriut me kërkesë të familjarëve të Aleks Nikës, të cilët paditën shtetin shqiptar që lidhet me mungesën e një hetimi efektiv për zbardhjen e ngjarjes dhe për mohimin e aksesit të familjarëve në fazën hetimore të procesit. Më 20 maj Avokatura e Shtetit ka venë në dijeni Këshillin e Ministrave për procesin gjyqësor dhe ka kërkuar që deri më datë 25 maj t’i vihet në dispozicion e gjithë dosja dhe veprimet hetimore.