Forca të shumta policie mësohet se kanë zbarkuar në qytetin e Elbasanit ditën e sotme. Policia ka rrethuar lagjen “Skënderbej”, në qytetin e Elbasanit, duke vijuar edhe njëherë kontrollet në vendin ku u ekzekutua Everest Çaka.
Burime bëjnë me dije se oficerët e krimeve të rënda janë kthyer sërish në vendin ku u ekzekutua Everest Çakaj në lagjen “Skenderbej” të qytetit të Elbasanit, duke vijuar kontrollet në disa banesa.
Everest Çaka, 41 vjeç, u vra me 11 maj në Elbasan pasi u qëllua me armë teksa po udhëtonte me makinë së bashku me bashkëshorten Silvana Çaka. Kjo e fundit mbeti e plagosur lehtë në dorë.
Lidhjet familjare me disa persona të përfshirë në vrasje të bujshme në Elbasan nxisin dyshimin se ekzekutimi i Çakës të mund të jetë bërë për hakmarrje.
Policia tha se ngjarja ndodhi në orën 20:10 në lagjen “Skënderbej” njohur ndryshe edhe si “Fushë-Mbret” ku Everest dhe Silvana Çaka po lëviznin me makinën e tyre, tip “Opel”. Ata u qëlluan me armë në një rrugë që nuk ishte e vrojtuar nga kamera sigurie.
Everest Çaka, i njohur ndryshe edhe si Ibrahim Çaka akuzohej për vrasjen e Gëzim Alikajt në vitin 2010. Ai madje dyshohej të ishte ekzekutor direkt pasi Alikaj i kishte vrarë vëllanë në Spanjë disa vite më parë.