Është lajmëruar që ditën e nesërme do të mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve , për të vendosur mbi vijueshmërinë e masave të reja anti-COVID në vendin tonë. Këtë e ka konfirmuar ditën e sotme edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila në një deklaratë për mediat ka paralajmëruar zbutjen e masave.
Po ashtu edhe kryeministri Edi Rama ka folur sot për lehtësimin e masave anti-covid, teksa iu ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes. I pranishëm në procesin e vaksinimit për punonjësit e transportit urban , Rama është shprehur se jemi në një situatë optimale, por se ende nuk mund të parashikohet dalja nga tuneli. Ashtu si paralajmëroi edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu, kryeministri Edi Rama është shprehur se ditën e nesërme do të dalë komiteti teknik i ekspertëve me plan të ri.
“Ajo që unë mund të shtoj është se jemi në një situatë optimale në raport me strategjinë dhe planin e veprimit, por është shumë-shumë e rëndësishme që të mos harrojmë se sidoqoftë nuk kemi parashikueshmëri të plotë 100% lidhur me rrugën drejt daljes përfundimtare nga ky tunel dhe për këtë arsye duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm. Nesër komiteti do dalë me planin e ri, me lehtësim të mëtejshëm të masave dhe ambicia jonë për të pasur një sezon turistik shumë më të lehtësuar se sa ai i vitet të kaluar besoj se do të përmbushet”, deklaroi Rama.
Kujtojmë se prej shumë kohësh vendi ynë po përballet ashtu si e gjithë bota me pandeminë e koronavirusit.
Por me përmirësimin e situatës dhe uljes së shifrave të rasteve të infektimeve, duket se disa masa do të hiqen, siç mund të jetë mbajtja e maskës në ambiente publike apo dhe ora policore e cila hyn në fuqi pas orës 22:00, deri në 06:00.