Një grabitje ka ndodhur ditën e sotme në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Reshit Çollaku” në zonën e quajtur Shallvaret. Persona ende të paidentifikuara kanë thyer banesën e një 53 vjeçare dhe kanë marrë nga aty objekte me vlerë dhe bizhuteri, si dhe një shumë parash.
Denoncimin për ngjarjen e ndodhur mësohet ta ketë bërë vetë, pronarja e shtëpisë M.V., e cila pasi ka konstatuar vjedhjen, ka njoftuar policinë. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
“Me datë 23.05.2021, në rrugën “Reshit Çollaku” një person i paidentifikuar ka vjedhur 16.000 lekë të reja në banesën e shtetasit J. V. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.”, njofton Policia e Tiranës.
Gjithashtu një tjetër ngjarje e ngjashëm ka ndodhur pak pas mesnatës në fshatin Spiten të Lezhës, ku dy persona të paidentifikuar kanë hyrë në një banesë dhe kanë vjedhur një sasi të madhe parash, dy aparate celularë, gjithashtu dyshohet se kanë dhunuar edhe çiftin bashkëshortor që ndodhej në banesë.
“Më datë 24.05.2021, pas mesnatës, në fshatin Spiten, Lezhë, jemi njoftuar nga shtetasi Gj.D., se dy persona të paidentifikuar kanë vjedhur në banesën e tij duke i dhunuar atë dhe bashkëshorten shtetasen V.D.,47 vjeçe, një sasi lekësh dhe 2 aparate celularë.
Në vendngjarje janë fiksuar prova materiale të lëna nga autorët, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.
Gjithashtu, janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohet të kenë dijeni për ngjarjen. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve.”, njofton Policia e Lezhës.