Ndërsa banorët e Gazës kanë përjetuar ditët e fundit bombardime të forta ajrore, dhe qindra prej tyre janë vrarë dhe plagosur, dhe kur gati të gjitha vendet e botës janë të shqetësuara për situatën atje, kush është ai që po fërkon duart nga kjo situatë dhe uron vazhdimin e saj?
Kush përfiton në të vërtet nga ky konflikt?Nëse i kushtojmë vëmendje deklaratave dhe veprimeve të regjimit iranian mbi këtë konflikt, e kuptojmë se e vetmja qeveri që nuk dëshiron ndaljen e kësaj krize dhe lufte është regjimi iranian.
Në vend se të përpiqen të ndalojnë konfliktin, mullahët që derdhnin lot krokodili për popullin palestinez po bëjnë çmos që ta ndezin, madje edhe ta zgjerojnë atë. Menjëherë pas fillimit të konfliktit të fundit në Gaza, ministri i Jashtëm i regjimit Javad Zarif, shkoi në Damask të Sirisë për t’u takuar me udhëheqësit e Hamasit, me synim rikonfirmimin e mbështetjes së Iranit për ta.
Sigurisht, ky ishte qëndrimi i tij publik, por nuk u tha asgjë se si Irani e ofron këtë mbështetje. Por pak më vonë, Abu Hamza, zëdhënës i Batalionit Quds të Xhihadit Islamik Palestinez, e falënderoi Republikën Islamike të Iranit për armatimin e tyre me raketat “Badr-3”.
Në një moment tjetër, Qaani, komandanti i Forcës Quds, zhvilloi në fillim një bisedë telefonike me Ziad Al-Nakhala, sekretarin e përgjithshëm të lëvizjes Palestineze të Xhihadit Islamik, dhe më pas Ismail Haniyeh, kreun e zyrës politike të Hamasit, për t’i mbështetur dhe inkurajuar ata që të vazhdonin sulmet e tyre.
Gjithashtu, mediat shtetërore iraniane kanë transmetuar për ora të tëra sulmet me raketa ndaj Izraelit nga Hamasi dhe grupet Islamike të Xhihadit, për t’i nxitur iranianë të besojnë se ata po e shkatërrojnë Izraelin. Por ata nuk thonë asgjë për mjerimin dhe situatën katastrofike të popullit palestinez, sidomos në Gaza, dhe nëse populli palestinez është dakord me këto sulme raketore, që sollën si kundërpërgjigje sulmet ajrore izraelite dhe granatimet që vranë kaq shumë njerëz !?
Sigurisht, dhimbja e Palestinës nuk ka asnjë rëndësi për regjimin iranian, prandaj ata nuk merren me këtë gjë. Dikush mund të pyesë se përse regjimi iranian e mirëpret një situatë të tillë, dhe pse ka synuar gjithnjë që të shkaktojë kaos dhe paqëndrueshmëri në rajon?!
Këto veprime të regjimit mund të shihen qartazi në Irak, Liban, Siri, Afganistan dhe Jemen, dhe në vendet e tjera të rajonit si Bahreini, ku kemi parë shenja të ndërhyrjes së mullahëve, edhe pse fatmirësisht për arsye të ndryshme situata atje nuk është përkeqësuar.
Eksporti i krizave ka qenë gjithmonë një nga strategjitë e mullahëve, që nga vendosja e regjimit të tyre nën Ajatollah Khomeini, me synimin për të ndërhyrë dhe ushtruar ndikim mbi këto vende, gjë e cila nisi me luftën 8-vjeçare kundër Irakut, dhe më pas pasoi vendet e tjera në rajon.
Regjimi i mullahëve në Teheran, synon të ushtrojë ndikimin dhe dominimin e tij midis vendeve të rajonit duke krijuar destabilitet, kaos dhe frikë në këto vende. Edhe pse më shumë se 80 për qind e popullit iranian jeton nën kufirin e varfërisë, dhe ekonomia iraniane është në kolaps, regjimi nuk heziton që të investojë një pjesë të madhe të pasurisë iraniane për të çuar përpara axhendën e tij në mbështetje të grupeve të mbështetura prej tij si Hezbollahu në Liban, Huthët në Jemen, si dhe grupime të ndryshme në Irak, Afganistan dhe Siri.
Sipas zyrtarëve të lartë të regjimit iranian, deri në vitin 2020 Irani ka shpenzuar më shumë se 30 miliardë dollarë vetëm në mbështetje të Bashar Al-Asadit në Siri, dhe në këtë shumë nuk përfshihen shpenzimet e mëdha ushtarake të forcave iraniane në Siri.
Sipas Mohammad Reza Naqdi, një nga komandantët e Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC), Irani ka shpenzuar tashmë 17 miliardë dollarë për të mbështetur milicitë e përkrahura prej tij në rajon. Kjo është arsyeja pse populli iranian përdor parulla të tilla si “As Gaza, as Libani, unë sakrifikoj jetën time vetëm për Iranin”apo “Lëreni Sirinë dhe mendoni për ne” në protestat e tij të vazhdueshme kundër politikave të regjimit.
Por regjimi, që nuk është në gjendje të përmbushë kërkesat e zakonshme të njerëzve të tij për shkak të korrupsionit kolosal, keq-menaxhimit të paimagjinueshëm dhe paaftësisë në rritje, në vend se t’i kushtojë vëmendje nevojave të iranianëve, i ka përdorur të gjitha burimet e tij për të mbjellë destabilitet dhe konflikte në vendet fqinje.
Por edhe për të imponuar përshtypjen e rreme se Irani është një nga vendet e vetme në rajon, që nuk po përballet me këtë lloj dhune, dhe nëse ky regjim ndryshohet, Irani, ashtu si ato vende, do të zhytet në kaos dhe trazira, gjë që do të dëmtojë jo vetëm popullin iranian, por do të dëmtojë edhe pozicionin strategjik të Iranit në të gjithë rajonin.
Përmes kësaj strategjie, Irani po përpiqet ta bindë botën se regjimi duhet të pranohet dhe të trajtohet si duhet nga bashkësia ndërkombëtare. Gjithsesi, për shkak të zbulimit të ndërhyrjeve të regjimit në vendet e rajonit, por edhe të kundërshtimit të popullit iranian ndaj këtij regjimi, aq shumë sa që shumica absolute e iranianëve dëshirojnë përmbysjen e regjimit të mullahëve, kjo politikë ka dështuar.
Dhe të gjitha investimet e regjimit gjatë viteve të fundit tek milicitë si Hezbollah, Hamas dhe Xhihadi Islamik, nuk do të jenë në gjendje që ta shpëtojnë këtë regjim nga shembja e pashmangshme. Shenjat e këtij ndryshimi do të shihen tek bojkoti i madh i zgjedhjeve presidenciale farsë që do të mbahen në Iran më 18 qershor, të cilat edhe sipas zyrtarëve qeveritarë, do të kenë pjesëmarrjen më të ulët në 42 vitet e fundit./eurasia