Në prangat e policisë së Himarës kanë rënë dy inspektor të IMT-së dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë. Burime zyrtare bëjnë me dije se këta persona në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë dhënë leje për ndërtim të paligjshëm të disa objekteve në Himarë. Mësohet se janë arrestuar 35-vjeçari R.H, me detyrë kryeinspektor dhe 30-vjeçari E.Z, me detyrë inspektor. Ndërsa janë shpallur në kërkim M.N, dhe Dh.N, edhe këta inspektorë të IMT.
Prokuroria që kërkoi ndalimin e tyre teksa Gjykata e Vlorës dha arrest me burg teksa inspektorët akuzohen për ”shpërdorim detyre”.
Njoftimi nga policia e Himarës
Shpërdoruan detyrën duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve, vihen në pranga 2 shtetas, 2 të tjerë shpallen në kërkim.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, pas një pune intensive hetimore disajavore, në bazë të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, bëri ndalimin e shtetasve:
- R. H., 35 vjeç, banues në Himarë, me detyrë kryeinspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë;
- E. Z., 30 vjeç, banues në Himarë, me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.
Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasve:
- N., 36 vjeç banues në Sarandë dhe Dh. B., 53 vjeç, banues në Himarë, të dy me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka urdhëruar ndalimin e këtyre shtetasve, në bazë të vendimeve të Gjykatës, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e Bashkisë Himarë.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.