Maqedonia e Veriut ka shpallur person të padëshirueshëm një diplomat rus dhe ai ka shtatë ditë kohë që të largohet nga vendi. Sipas mediave në Shkup, bëhet fjalë për diplomatin Sergej Aleksandroviç Bazdikin. Po ashtu mediat maqedonase shkruajnë se ky person është shpallur i padëshirueshëm pasi veprimet e tij nuk përputhen me sjelljen e pritur nga një deiplomat i huaj, që është në shërbim në një vend tjetër mikpritës.
“Më 14 maj, 2021, ambasadori i Federatës Ruse u thirr në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilit iu dorëzua një notë me udhëzimin për largimin e diplomatit nga territori i Maqedonisë së Veriut brenda shtatë ditësh”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në nenin 9 të Konventës së Vjenës thuhet se “shteti në të cilin është akredituar diplomati mund – në çdo kohë dhe pa ndonjë detyrim – të shpjegojë vendimin e tij, të informojë shtetin akreditues se drejtuesi ose ndonjë anëtar i stafi diplomatik i misionit është persona ‘non grata’ [i padëshirueshëm] ose ndonjë anëtar tjetër i stafit të misionit është i padëshirueshëm”.
Nga ana tjetër, është shteti akreditues ai që vendos ta tërheqë personin në fjalë
“Shteti që ka bërë akreditimin do të vendosë ta tërheqë personin në fjalë ose do të konstatojë përfundimin e funksionit të tij”, thuhet në nenin 9.