Vijon konflikti i ashpër mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit në Lindjen e Mesme. Ushtria Izraelite bombardoi sërish Rripin e Gazës në orët e para të së martës, duke rrëzuar dy ndërtesa të tjera. U shkatërrua gjithashtu një segment prej 15 km të një tuneli të Hamasit, ndërsa të hënën u dëmtuan rrugë, banesa dhe linja elektrike.
Ushtria Izraelite thotë se dhjetëra raketa u lëshuan nga territori i Gazës mbrëmjen e së hënës. Të paktën 212 persona, përfshirë 61 fëmijë kanë humbur jetën në Gaza, ndërsa Izraeli numëron 10 viktima mes të cilëve 2 fëmijë. Tel Avivi pretendon se shumica e viktimave në Gaza janë militantë dhe se viktimat civile janë të paqëllimshme.
“Disa prej viktimave ishin ende të gjallë kur mbërritën në spital, pasi kishin qenë të bllokuar për 10 orë në rrënoja. Do të kishim shpëtuar më shumë jetë nëse do të kishim më shumë resurse për kërkim-shpëtimin”, u shpreh Muhammad Abu Salmiya, mjek në Gaza.
Presidenti amerikan, Joe Biden, shprehu mbështetjen për një armëpushim, pas 8 ditësh luftime të përgjakshme. Biden, mësohet t’i ketë thënë kryeministrit Benjamin Netanjahu se Shtetet e Bashkuara po punojnë me Egjiptin dhe vende të tjera për t’i dhënë fund luftimeve, edhe pse SHBA-ja bllokoi një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që kërkonte ndaljen e dhunës.