Një kontejner me rreth 400 kg kokainë, që ka kaluar nga Porti i Durrësit, është kapur në Kosovë ditën e sotme. Burime bëjnë me dije se kokaina ishte e fshehur në një kontejner me mish që vinte nga Brazili. Kamioni u lejua të kalonte tranzit në Shqipëri ndërsa u krye dorëzimi i kontrolluar në Lipjan.
Sipas burimeve bëhet fjalë për një operacion të përbashkët, të mirëorganizuar dhe i koordinuar në mënyrë perfektë mes Policisë Italianë, Policisë së Shtetit dhe Policisë Kosovare. Mësohet se në këtë operacion Policia Shqiptare ishte pjesë themelore e procesit, të dorëzimit të kontrolluar të kokainës. Gjithashtu bëhet e ditur se kamioni ishte i regjistruar në Prishtinë, ndërsa është mbajtur nën vëzhgim i gjithë itinerari i tij për 10 ditë.
Ndërkohë, mediet kosovare raportojnë se kamioni ishte i mbushur me mish, ku pakove dhe kontenierëve iu ishte vendosur çip. Autoritetet shqiptare kishin dy muaj që prisnin këtë ngarkesë pasi u sinjalizuan nga DEA amerikane. Pas mbërritjes së kontejnerit në Durrës, Policia Shqiptare nuk ka ndërhyrë me qëllim që të zbulonte të gjithë rrugën dhe destinacionin final të ngarkesës për te porositësit.
Ndërkaq në orët në vijim pritet një konferencë për media nga Policia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, ku do të zbardhen detajet e operacionit.