Parrulla antihebreje dhe sulme ndaj sinagogave. Skenat që kanë ndodhur në demonstrata në Gjermani ditët e fundit i kanë alarmuar politikanët.
Pas protestave pjesërisht të dhunshme kundër veprimeve të Izraelit në konfliktin e Gazës, politikanët dhe shoqatat po paralajmërojnë rritjen e antisemitizmit në Gjermani. Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer bëri të ditur se do të ketë reagime të ashpra ndaj sulmeve ndaj institucioneve hebreje. “Ne nuk do të tolerojmë që flamujt izraelitë të digjen në tokën gjermane dhe të sulmojnë objektet hebreje,” i tha ai gazetës “Bild am Sonntag”.
Përballë përshkallëzimit të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit palestinez në Lindjen e Mesme, mijëra njerëz dolën të shtunën në rrugët e qyteteve gjermane për të treguar solidaritetin e tyre me palestinezët. Në disa
demonstrata pati incidente dhe ekcese, trazirat më të mëdha ndodhën në Berlin.
59 arrestime në Berlin
Atje situata u përshkallëzua pasi policia shpërndau një demonstratë në lagjen Neukölln për shkak të mosrespektimit të rregullave të distancës së Covid-19. Protestuesit i goditën policët dhe hodhën gurë dhe shishe drejt tyre. U hodhën edhe fishekzjarre.
Sipas raporteve të policisë të dielën, 93 policë u plagosën dhe 59 persona u arrestuan, ndër të tjera për prishje serioze të qetësisë publike, lëndime të rrezikshme trupore, sulm ndaj punonjësve të zbatimit të ligjit dhe lirimin e të burgosurve.
Steinmeier bën thirrje për luftë kundër antisemitizmit
Në disa qytete, shumë vetë demonstruan sërish për më shumë solidaritet me palestinezët.
Edhe ditët e fundit ka pasur demonstrata antisemitike dhe antiizraelite në disa qytete gjermane, në të cilat gjithashtu u dogjën flamujt e Izraelit. Ka pasur trazira të izoluara në Berlin. Komuniteti hebre kritikoi se në demonstrata shfaqet antisemitizëm i pafshehur.
Në të njëjtën kohë, në shumë vende kishte shumë manifestime solidariteti për popullsinë izraelite.
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier bëri edhe një herë thirrje për luftë të përbashkët kundër antisemitizmit: “Ne e shohim edhe urrejtjen antisemite në rrugët tona. Asgjë nuk e justifikon kërcënimin ndaj hebrenjve në Gjermani ose sulmet ndaj sinagogave në qytetet tona,” tha Steinmeieri të dielën në përfundim të kongresit ikumenik kishtar në Frankfurt.
Politikanët kërkojnë reagime të ashpra
Ministri i Brendshëm, Seehofer u ofroi forcave policore të landeve federale mbështetje personale dhe materiale. Përballë konfliktit në vazhdim, mund të priten “akte tipike penale që ndodhin në demonstrata”, tha ai. Grupi parlamentar i SPD në Bundestag bëri thirrje për ashpërsim të masave ligjore penale
“Fyerjeve nxitëse të hebrenjve, për shembull, tani duhet të kthehen shpejt në një vepër penale”, i tha nënkryetari i grupit parlamentar të SPD, Dirk Wiese i “Welt”, duke iu referuar propozimit legjislativ të planifikuar nga koalicioni i madh mbi atë që njihet si nxitja e fyerjes.
Këshilli Qendror i Hebrenjve: “urrejtje e pafshehur ndaj hebrenjve”
Presidenti i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Josef Schuster, paralajmëroi për një valë antisemitizmi. “Prej ditësh, turmat po përhapin urrejtje të pastër ndaj hebrenjve në shumë qytete gjermane. Ata brohorisin parullat më të këqija kundër hebrenjve që të kujtojnë kohërat më të errëta në historinë gjermane,” tha Schuster të dielën.
Policia duhet të veprojë kundër kësaj në mënyrë të vazhdueshme. “Antisemitizmi nuk duhet të përhapet nën maskën e lirisë së mbledhjes. Shoqatat dhe imamët myslimanë duhet të kenë një efekt moderues,”shpjegoi Schuster. Shoqatat myslimane si Këshilli Qendror i Myslimanëve i patën dënuar më parë me forcë sulmet ndaj institucioneve hebreje./DW