Një 44-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Sarandë, pasi ka tentuar t’i grabisë paratë një 34-vjeçareje nën kërcënimin e thikës. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen Nr.1 të Sarandës pranë një bankomati. E reja ka qenë duke tërhequr lekë, në momentin që është kërcënuar me thikë.Policia ka bërë të mundur kapjen dhe identifikimin e autorit, ndërsa materialet i janë referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore. Mësohet se personi që ka rënë në prangat e policisë është Jorgo (Leonard) Kumaraku.
Njoftimi i policisë:
Sarandë
Tentoi t’i vidhte nën kërcënimin e thikës, një shumë parash një 34-vjeçareje, Policia identifikon dhe arreston autorin e dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr.1, Sarandë, pranë bankomatit të një banke, një shtetas nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë (thikë), kishte tentuar t’i vidhte një shumë parash shtetases A. N., 34 vjeçe, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, Policia bëri të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit J. (L). K., 44 vjeç, banues në Livadhja.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Vjedhje me dhunë”, mbetur në tentativë.