Kosova ka ndaluar udhëtimet me Brazilin, Indinë, Afrikën e Jugut për shkak të përhapjes së pakontrolluar të Covid-19 dhe të varianteve të reja që janë shfaqur atje. Të gjithë personat që hyjnë në Kosovë nga këto shtete duhet të karantinohen në banesat e tyre dhe të testohen dy herë në javë. Kjo nuk vlen për shtetasit kosovarë që qëndrojnë transit për 48 orë në këto shtete.
Vendimi u komunikua në mbledhjen e sotme të qeverisë dhe u miratua pas propozimit të ardhur nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Vendimi do të hyjë në fuqi pas publikimit në Gazetën zyrtare.
“Ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës për personat që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut. Shtetasit që vijnë nga këto shtete duhet të karantinohen në shtëpitë dhe në vendbanimet e tyre për 14 ditë duke u testuar dy herë në javë. Kjo nuk vlen për shtetasit e Kosovës që qëndrojnë transit në këto shtete për 48 orë”, ka thënë Vitia.
Aktualisht në Kosovë janë 6.933 raste aktive me koronavirus. Ditën e sotme janë raportuar 170 raste të reja infektimesh. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 4 raste të vdekjes ndërsa kanë fituar betejën me virusin 389 pacientë. Kosova ka nisur muajin e kaluar procesin e vaksinimit dhe deri tani nuk ka blerë ende dozat e veta por, ka marrë vaksina vetëm nga COVAX dhe Bashkimi Europian.