Ka qenë Vasilika Hysi ajo që ka lexuar raportin e deputetëve firmëtarë duke theksuar se presidenti nuk ka ushtruar kompetencat kushtetuese. Gjithashtu thuhet se ai ka kryer aktivitete politike dhe ka nxitur dhunë. Kujtojmë se më herët kreu i shtetit i nisi një letër organit ligjvënës ku e konsideroi Kuvendin si ilegjitim pasi nuk ka opozitë, ndërsa i bëri thirrje të hetojë krimet zgjedhore.
“Presidenti në rolin e kreut të shtetit nuk e ka ushtruar funksionin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar, nuk ka qenë mbi palët, madje e ka dëmtuar. Nuk ka ushtruar kompetencat e tij kushtetuese. Gjatë fushatës dhe ditën e heshtjes zgjedhore, presidenti i ka kryer ato. Aktiviteti politik nuk ka qenë për të përcjellë mesazhe të ekuilibrit, të qetësisë, përkundrazi e ka turbulluar ekuilibrin politik. Ka përdorur shprehje dhe ka inkurajuar përdorjen e dhunës, sikurse ka kërcënuar haptazi punonjësit e policisë, prokurorët e gjyqtarët. Është fakt që para 24 korrikut ka pasur aktivitet politik të Presidentit. Të gjitha veprimet dëshmojnë që presidenti kryente veprime haptazi politike. Me mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitet, nuk ka ulur tensionin politik, përkundrazi e ka nxitur duke nxitur njerëzit që dalin dhe të konfliktuan. Po të shikojmë presidenti ka qenë shumë aktiv në rrjetet sociale. Në 24 prill ka nxjerrë një sërë mesazhesh kërcënuese, denigruese”, tha Hysi.