Shtyhet sërish afati i hapjes së pikës kufitare të Kapshticës deri në datën 14 maj. Qeveria greke e ka shtyrë për të disatën herë hapjen e kufirit me Shqipërinë, si pasojë e masave parandaluese për pandeminë e COVID-19. Dogana e Kapshticës do të vazhdojë do të jetë me të njëjtat rregulla të mëparshme, ku hyrja drejt vendit tonë mund të bëhet nga ora 06:00 deri në 22:00, për gjithë shtetasit dhe kategoritë e mjeteve.
Kjo situatë vazhdon të jetë e njëjta që prej nëntorit të vitit 2020, ku nuk lejohet të kalojë asnjë udhëtar drejt shtetit helen apo qoftë dhe mjetet e tjera.
Të vetmet hyrje, janë ata individë që mund të hyjnë nga shteti grek në Republikën e Shqipërisë vetëm me këmbë dhe mjetet e transportit të rëndë.
Po çfarë pritet më 14 maj
Greqia pritet të hapë pas më shumë se një viti kufijtë tokësorë dhe ajrorë për shqiptarët më 14 maj. Burime nga Ministria e Jashtme i thonë Gazetës Si se me nisjen e sezonit turistik, vendi fqinj do të lejojë hyrjen e qytetarëve nga vendi ynë, duke hapur pikën kufitare të Kakavijës. Megjithatë, rregullat e kalimit të qytetarëve mësohet se po negociohen nga autoritetet shëndetësore të dy vendeve. “Për të kaluar në Greqi, qytetarët do të duhet të dorëzojnë një tampon, ose një dokument që tregon se janë vaksinuar apo e kanë kaluar Covid-19”, thonë burimet.