Komiteti Teknik i Ekspertëve i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë me një propozim, që procesi arsimor para-universitar të kalojë nga sistemi i kombinuar në klasa, me një protokoll strikt anti-COVID.
Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deklaroi se situata në këto dy javë ka qenë e qëndrueshme, duke përmendur si faktor edhe procesin e vaksinimit për të cilin theksoi se ka lënë pas edhe Kroacinë.
“Siç shihet nga këto shifra të sapo thëna, Komiteti arrin në konkluzionin që situata është e qëndrueshme por kemi parasysh një tendencë të lehtë të rritjes. Të shpresojmë që kjo situatë nuk do vazhdojë të rëndohet. Vaksinimi më popullatë ka ecur me ritme të mira.
Një pjesë e mirë e arsimtarëve kanë bërë dozën e parë. Mund të themi që jemi nga vendet e para sa i përket ritmit të vaksinimit në Ballkan duke lënë prapa edhe Kroacinë. Duke parë këtë situatë, Komiteti mendon të propozojë që procesi arsimor para-universitar të kalojë në prezencë në klasë me protokolle.
Beteja me COVID vazhdon. Duhet të vazhdojmë mbajtjen e maskës dhe distancimin fizik sepse vetëm kështu do mundim që të kemi një kontroll të mirë mbi pandeminë duke arritur përmirësim të ekonomisë”, shprehet Rakacolli.