Olsian Çela, Prokurori i Përgjithshëm ka kërkuar hetim të krimeve zgjedhore. Mësohet se Çela ika kërkuar prokurorëve që të intensifikojnë hetimet. Kërkesa e Çelës vjen pas akuzave dhe denoncimeve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat pretendojnë se procesi i zgjedhjeve dhe numërimi i votave kanë pasur parregullsi.
Dy ditë më parë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se është duke vazhduar ndjekjen penale për rastet që lidhen me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.
Hetimi për parregullsitë në procesin zgjedhor është kërkuar edhe nga ndërkombëtarët. Një ditë më parë, ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman, kërkoi nga institucionet shqiptare të hetojnë të gjitha parregullsitë e pretenduara në lidhje me procesin. Kujtojmë se më datë 25 prill në vendin tonë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku fituese doli Partia Socialiste me 74 mandate. Partia Demokratike fitoi 59 mandate, LSI-ja ka marrë 4 mandate dhe PSD-ja ka marrë 3 mandate. Kujtojmë se vazhdon ende procesi i numërimit për kandidatët, një risi kjo në këto zgjedhje.