Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, votoi ditën e sotme në Tiranë, së bashku me bashkëshorten, Liri Berisha. Pas votimit, Berisha ftoi shqiptarët që të hedhin votën e tyre në mënyrë që të largojnë nga qeveria një politikë që po i bllokon.
DEKLARATA E SALI BERISHËS:
“Fitorja ka fytyrën dhe bukurinë e kësaj dite të bekuar. Ftoj me këtë rast cdo qytetar të këtij vendi të firmosë ditën e sotme, një fitore madhështore për Shqipërinë dhe shqiptarët, të votojë për sakrificat e tij, për familjen, fëmijët, nipërit, mbesat, për emigrantët shqiptarë që një regjim në largim i bllokoi, u shpiku karantinën si një mjet politik për të mos lejuar votimin e tyre. Të votojnë për të gjithë ata të cilët i thonë lirisë liri dhe Shqipërisë Shqipëri. Deri tani votimi po ecën i sigurt drejt fitores me gjithë përpjekjet, e përpëlitjet anti-ligjore, të pamoralë, fitorja po bëhet cdo sekond dhe minutë më e madhe, më e bukur dhe më e fuqishme”, u shpreh mes të tjerash ish-kryeministri i vendit.
Dita e votimeve në Shqipëri ka nisur sot në orën 07:00 dhe qytetarët do të kenë mundësi të votojnë deri në orën 19:00. Risia në këto zgjedhje është identifikimi elektronik i qytetarëve, që kursen shumë kohë.