Shefja e Epeidemiologjisë në ISHP, Silva Bino ka reaguar pas denoncimit të Tritan Shehut për vaksinat e skaduara. Në një postim në rrjetet sociale, Bino shkruan se datat e paraqitura në vaksinat Covid të Sinovac janë datat e prodhimit dhe paketimit.Ajo sqaron se data e skadencës është në vitin 2022, ndërsa në kutinë ku paketohen flakonet data 13/ 01/ 2021 është data e aprovimit për përdorim emergjent në Turqi.
Postimi i plotë i Binos:
“Veç për sqarim, datat e paraqitura tek Vaksinat ndaj COVD-19 Coronavac 600U janë datat e prodhimit dhe paketimit. Për njërin lot është data 06/04/2021, ndërsa për lotin tjetër është data 04/ 04/ 2021. Ndërsa data e skadencës është 19/ 02/ 2022. Në kutinë ku paketohen flakonet data 13/ 01/ 2021 është data e aprovimit për përdorim emergjent në Turqi. Të gjitha Njësitë Vendore të kujdesit Shëndetësor janë informuar me shkresë zyrtare nga ISHP dhe më tej ato kanë informuar çdo pikë vaksinimi”, shkruan Bino.
Denoncimi i Tritan Sehut:
Skandal! Vaksina te pa sigurta dhe te skaduara qe me 4 prill po u injektohen aktualisht qytetareve ne tendat e Sheshit Skenderbej!
Prokuroria duhet menjehere te nderprese kete veprim te pa pergjegjshem, te rrezikshem e te filloje nje hetim te plote.
Jane vaksina “Kineze” me ambalazhe te shkruara turqisht, jo vetem te pa certifikuara nga asnje organizem nderkombetar, me efikasitet shume te ulet sipas vete kinezeve, por dhe me date skadence te tejkaluar qe me 4 Prill.
Qytetareve nuk ju tregohet ky fakt i rende edhe nga operatoret sanitare aty!
Duhej nje insistim i forte i disa prej tyre qe te shikonin ambalazhin, e me tej te refuzonin injeksionin.
Pergjegjesi e rende kjo per Qeverine, por dhe per personelin shendetesor qe e aplikon, pavaresisht urdherit qe u kane dhene.
Edhe ata duhet te kuptojne se Betimi i Hipokratit qendron mbi cdo urdher administrativ.
Shume shpejt dhe shqiptareve do tu ofrohen vetem ato vaksina e medikamente te sigurta, qe u ofrohen edhe italianeve, grekeve, gjermaneve, te gjithe BE, duke respektuar rregullat europiane per kete.