Mundësia që Shqipëria të ketë arritur imunitetin natyror po bëhet ditaditës edhe më e prekshme. Kjo dëshmohet prej shkallës së infeksionit, që është raporti ndërmjet të testuarve dhe të infektuarve dhe së dyti duke parë situatën në spitale.
Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, dje nisi edhe vaksinimi i punonjësve të fasonerisë. Ministrja Manastirliu tha se në këtë fazë të parë do të aplikohet kriteri i moshës dhe i sëmundshmërisë. “Fillojmë sot vaksinimin nëpër fasoneri. Aktualisht kemi filluar vaksinimin sipas një liste, të cilën na e ka dhënë kryesia e gjithë fabrikave me materiale përpunuese.
Janë rreth 60 mijë punonjës, por ne kemi vendosur kriteret e para për vaksinimin, që është kriteri i moshës dhe sëmundshmërisë. Sot kemi filluar në fasoneri, por me listat në vijim do të fillojmë edhe në qendrat tona të vaksinimit të përqendruar, për të mos ndërprerë procesin e punës, por ndërkohë për të siguruar mbrojtje për të gjithë punonjësit”, deklaroi Manastirliu.
Në total deri tani janë kryer 383.008 doza vaksine antiCOVID-19, prej të cilave mbi 296 mijë doza për personat mbi 60 vjeç, ndërkohë që ka përfunduar vaksinimi me disa prej kategorive të punonjësve të shërbimeve kritike, si bluzat e bardha, arsimtarët, uniformat blu, punonjësit e medias. Vijon vaksinimi për qytetarët +60 vjeç, punonjësit e shërbimeve hoteliere dhe kategoria e re janë punonjësit e fabrikave me material porositësi, ku janë rreth mbi 60.000 të punësuar.