Kandidatja e Partyisë Demokratike, Albana Vokshi ftoi qytetarët që të votojnë për Partinë Demokratike ditën e dielë. Vokshi si kandidate në zonën e Laprakës iu kërkoi qytetarëve të mos mashtrohen nga aktet e paligjshme të qeverisë për t’u blerë votën përmes legalizimeve elektorale. Ndër të tjera Vokshi tha se zona ku ajo kandidon ka probleme të theksuara me legalizimet.
Ajo iu referua përgjimit të publikuar të kreut të kadastrës Artan Lame, i cili dha porosinë e Edi Ramës për të mashtruar rreth 100 mijë qytetarë për legalizimin e shtëpive të tyre.
“Edi Rama e kishte thënë qartë: 100 mijë banesa të mbahen pezull dhe të mashtrohen shqiptarët. Por një banesë ka 4-10 vota, pra më shumë se 400 mijë vota për të marrë me mashtrim vetëm nga legalizimet dhe pas zgjedhjeve do t’ua prishin shtëpitë. Ai nuk ka plan të bëjë legalizimin e shtëpive tuaja, prandaj nuk e ka bërë 8 vjet dhe po ju mashtron sërish”, theksoi Vokshi.
Albana Vokshi nxiti mbështetësit e PD të kontaktojnë qytetarët për të dalë masivisht në votime. “Vota masive është humbje e thellë për Edi Ramën, është fitore e thellë për PD. Këto ditë që kanë mbetur, komunikoni me këdo, që në 25 të votojnë numrin 9″, tha Albana Vokshi.