Ambasadorët e huaj në Tiranë, me anë të një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, i bëjnë thirrje qytetarëve shqiptarë me një mesazh për zgjedhjet e 25 prillit, të cilat janë vetëm 3 ditë larg. Ambasadorët Elsa Hastad e Suedisë, e SHBA-së, BE-së, OKB-së, OSCE-së, Spanjës dhe Sllovenisë, njëzëri bëjnë thirrje për të mos e shitur votën e tyre, por për ta përdoruar atë në zgjedhje për hir të demokracisë. Ata ju bëjnë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje për të vendosur vetë në dorë fatin e Shqipërisë dhe se demokracia është e paçmueshme.
“Mos e jepni votën tuaj, mos e shitni atë – përdoreni ditën e zgjedhjeve! Shikoni videon tonë me një mesazh rreth votimit nga Ambasadorët. Sepse demokracia është e paçmueshme”, shprehen ata.
Kujtojmë se presidenti Ilir Meta i ka dërguar një shkresë zyrtare drejtuesve të institucioneve shtetërore, si dhe ambasadorëve të huaj në Shqipëri. Letra është dërguar mbi “nevojën e marrjes së masave të shtuara organizative në ushtrimin e detyrave funksionale, zbatimin me përgjegjshmëri të legjislacionit në fuqi, si dhe rritjen e vigjilencës përgjatë periudhës para dhe pas zgjedhore”. Meta në letër ka vënë në dijeni edhe ambasadorët më të rëndësishëm në vend, Del Monaco i OSBE, Soreca i BE dhe Yuri Kim i SHBA.