Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, komentoi mbrëmjen e djeshme në ‘Real Story’ kuptimin e numrit 12, që PS-ja ka në fletën e votimit. Gjithashtu, i pyetur nëse ka ndonjë mesazh të fundit për zgjedhësit, Rama tha se të gjithë duhet të informohen që të votojnë.
Mes të tjerash, ai tha se duhet të votojnë numrin 12, pasi janë yjet e Europës, është dita e lindjes së PS-së, si dhe në fund me ironi tha se është dhe rezultati i saktë i shumëzimit 4 herë 3.
Pjesë nga biseda në studio:
Balla: Mesazhi i fundit për zgjedhësit tuaj?
Rama: Mesazhi i fundit për sonte është se të gjithë duhet ta mësojnë dhe të informohen për mënyrën e votimit. Të votojnë 12. Dhe nëse kanë preferencë për një deputet, të votojnë në rreshtin e 12-ës pasi behet vota e pavlefshme. 12- është 12 e pavarësisë, 12 yjet të Evropës. 12 është dita e lindjes së PS, rezultati i saktë i shumëzimit 4X3″, tha Rama.
Nuk është hera e parë që kryeministri Edi Rama, por dhe kandidatë të tjerë të PS-së, ironizojnë me Lulzim Bashën, referuar lapsusit të tij në parlamentin e Shqipërisë disa kohë më parë, kur tha: 7×7 bëjnë 42.
Nga ana tjetër, kreu i PD-së thotë se kundërshtarët politikë e sulmojnë me të tilla ironi, pasi e kanë kuptuar se do të humbasin zgjedhjet dhe se nuk kanë çfarë ju premtojnë shqiptarëve, prandaj dhe merren kryesisht me PD.