Kandidatja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Fierit, Kejdi Mehmetaj ka denoncuar një incident që ka ndodhur me banerat e LSI në këtë qytet. Mehmetaj ka thënë se Bashkia e Fierit është duke i hequr banerat dhe akuzon institucionin se ka shkeluar kontratën që palët kanë. Zyrtarët e LSI kanë shkuar në dyert e Bashkisë me kontratën në duar, por nuk janë lejuar nga Policia Bashkiake.
Ndërkohë, arsyeja pse po hiqen banerat mund të jetë për faktin se Rama pritet të mbajë një takim elektoral në Fier.
Për ngjarjen ka reaguar ashpër edhe presidenti Meta i cili u ka bërë thirrje fierakëve që të mprehin sfurqet, kosoret e sëpatat për ditën e diel në mënyrë që të mbrojnë votën.
“Ftoj kandidaten e LSI, Kejdi Mehmetaj, dhe të gjithë kandidatët e tjerë të mos bien e këtij provokimi të bandës Rilindje, të thellohen pak. Ky është një incident i turpshëm dhe banal, por edhe një provokim Kejdi, që ju gjoja të prishni mitingun që do bëjë Rilindja sot në Fier. Këtë duhet ta kuptosh qartë dhe nuk është kjo beteja juaj për të mbrojtur banderolat e LSI, se kryetari i Bashkisë Fieri do shkojë në burg për shkelje shumë të rënda që ka bërë, jo thjesht për këto shkelje të Kodit Zgjedhor. Komuniko me z.Ruci, meqë mbulon qarkun e Fierit, nëse vërtetë banderolat e tua shqetësojnë Rilindjen dhe kryerilindasin, hiqni banderolat tuaja derisa të mbarojë mitingu dhe pastaj vërini prapë, se nuk është ky problemi i madh që ka Fieri.
I di Fieri të gjitha historitë e kryebashkiakut dhe rilindasve të tjerë, e do t’i ndëshkojë me votë plebishitare. Meqë pas dy orësh do iki në Vlorë, Kejdi më bëj një nder, i thuaj z. Ruci, që jo vetëm i hoqën ato banderola, na ka thënë Presidenti që t’i japin edhe ca postera kryerilindasit, se do vij dhe vetë t’ia vë, që të kënaqet ai dhe të shtohet edhe më tej urrejtja për këtë provokator të ndyrë, që kërkon të prishë zgjedhjet ditën e diel. U bëni thirrje gjithë grave e burrave të Fierit e Mallakastrës t’i mprehin sfurqet, kosoret, sëpatat, t’i kenë gati ditën e diel e po u prek një votë e vetme, ashtu do bëjë gjithë Shqipëria, me në krye Presidentin”, deklaroi Meta.