Ka mbërritur në aeroportin e Rinasit sasia prej 8190 dozash nga vaksina Pfizer kundër Covid-19. Lajmin e ka komunikuar përmes një postimi në Facebook ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Ajo njofton se është arritur tashmë sasia e 703550 doza vaksinash të ardhura në vend deri tani. Ndërkohë, deri tani janë kryer 345934 vaksinime.
Postimi i Manastirliut:
Edhe 8190 doza të vaksinës Pfizer mbërritën në mbrëmje, duke arritur në 703,550 doza vaksinash në vend
Deri tani, me ekipet tona në të gjithë vendin, ia kemi dalë të kryejmë 345,934 vaksinime dhe do të vijojmë pa u ndalur, derisa qytetari i fundit të jetë vaksinuar
#ShqipëriaBuzëqesh
Më herët gjatë ditës së sotme kanë mbërritur në vend 208 mijë doza të vaksinës kineze Sinovac duke përmbushur kështu sasinë prej 500 mijë dozash që ishin planifikuar të vinin. Së bashku me AstraZeneca dhe Sputnik V, këto janë katër vaksinat që janë miratuar nga qeveria shqiptare dhe po përdoren në vendin tonë në kuadër të procesit të vaksinimit dhe imunizimit të popullsisë. Procesi nisi me vaksinimin e bluzave të bardha, të moshuarit, gazetarët, policët e më vonë dhe operatorët turistikë etj. Ministrja Ogerta Manastirliu tha më herët në pritjen e vaksinave të Sinovac se objektivi është që të arrihen 500 mijë vaksinime brenda muajit maj.