Kryeministri i vendit, Edi Rama ka publikuar një video ku ka thënë se aeroporti i Kukësit, është gati për të nisur fluturimet. Rama ndër të tjera ka thënë se ashtu si ka premtuar të parët që do të udhëtojnë përmes këtij aeroporti janë “çunat demokratë” të Londrës. “Kukës – Aeroporti Ndërkombëtar “Zayed – Flatrat e Veriut”, gati për fluturimin e parë me pasagjerët VIP, çunat çamarrokë të fejsbukut nga Londra”,-shkruan Rama.
Kujtojmë se ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku thas e aeroporti është gati dhe se fluturimet e para do të jenë disa lande të Gjermanisë dhe Zvicrës.Gjithashtu Balluku ka thënë se po vazhdojnë punimet në këtë aeroport dhe se po bëhen kontrollet e fundit të territorit, për të rakorduar çdo detaj.
“Nuk është paguar biletë, është një udhëtim promocional që mundësohet nga ana e kompanisë flamurmbajtëse. Këtu vazhdon që të punohet, po bëhet kontrolli i fundit i territorit, për të rakorduar çdo detaj, i cili është në funksion të një pune me kapacitet të plotë. Destinacionet e para janë disa qytete të Zvicrës dhe shtete të Gjermanisë, dhe tregun më të rëndësishëm që kanë kompanitë shqiptare, qytetet italiane”, tha ministrja, Belinda Balluku.
Gjithashtu Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për hapjen e doganës së aeroportit të Kukësit, para nisjes së fluturimeve që janë përcaktuar për datën 18 prill. Sjtrirja e zonës doganore do të jetë në një sipërfaqe prej 781 682 m2, ndërsa me zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Financve dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Vendimi ka hyrë në fqui menjëherë dhe është botuar në fletoren zyrtare.