Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, zhvilloi një takim me banorët e Funarit në Elbasan. Balla gjatë fjalës së tij ka folur për ndërtimin e rrugës Dobaj-Funardhe sipas tij do takthejë zonën në një destinacion turistik. Ai vazhdoi më tej duke thënë se pas 25 prillit qeveria do të kujdeset për resurset natyrore të kësaj zone.
“Ndërtimi i rrugës Dobaj-Funarë do të jetë një investim që do ta kthejë Funarin në një destinacion të rëndësishëm turistik. Gjëja e parë që duam të bëjmë është të nxisim djemtë, burrat, gratë e kësaj zone të investojnë që shtëpitë e tyre të transformohen në bujtina. Do të fillojmë edhe rikonstruksionin e gjithë linjës së transmetimit të energjisë elektrike por nuk do të lemë pas edhe investimet në infrastrukturën shkollorë”, tha Balla.
Ndër të tjera Balla iu ka bërë thirrje edhe personave mbi 60 vjeç që të vaksinohen.
“Falë Edi Ramës ne arritëm të sigurojmë në kohë sasitë më të mëdha të vaksinave. Sot jemi ndër vendet e para në Ballkan, por në nivel të numrit të vaksinimit edhe në Europë”, tha Balla.
Sa i përket familjeve të prekura nga tërmeti në këtë zonë, Balla premtoi që para Vitit të Ri të këtij viti do të marrin dëmshpërblimet.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS më tej, duke ritheksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 25 prillit tha se vetëm me kryeministrin Rama, Shqipëria do të ecë në rrugën e duhur.
“Kohë të vështira kanë nevojë për udhëheqës të fortë. Ne nuk mund t’ia besojmë timonin dikujt tjetër përveç se Edi Ramës. Na duhet një kryeministër që ta ketë Elbasanin në qendër të vëmendjes. Lista e PD nuk e përfaqëson aspak Elbasanin. Ndërsa lista e LSI është si një thes, ku janë futur brenda persona që kanë probleme me drejtësinë”, shtoi Balla.
Në fund të fjalës së tij, Balla nënvizoi se vetëm përmes një drejtësie të pavarur Shqipëria do të mund të shkojë drejt BE.