Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi më herët se këtë fundjavë do të nisi vaksinimi anti-COVID për operatorëve turistikë. Lajmin e ka bërë të ditur edhe kryeministri Edi Rama, teksa po vizitonte një qendër vaksinimi në Kamzë. Gjithashtu kryeministri ka bërë të ditur se numri i personave të vaksinuar i ka kaluar 300 mijë.
“Sot kalojmë mbi 300,000 vaksinime të kryera dhe në fundjavë nisim vaksinimin e operatorëve turistikë”, ka thënë kryeministri Edi Rama.
Ndërkohë që në qendrën e vaksinimit në Kamzë një i moshuar iu drejtua Ramës me fjalët “kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë”, ndërkohë kryeministri ia ktheu: “Më i gjati jam e di”.
Nga ana tjetër ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se ditën e shtunë vijnë edhe 40 mijë doza të vaksinës AstraZeneca nga instrumenti Covax. ‘’Vijojmë me vaksinimin masiv të popullatës +60 vjeç. Edhe në Kamzë, kemi filluar me të sëmurët kronikë, si prioritet. Sot arrijmë mbi 200 mijë të moshuar që kanë marrë nga një dozë. Ditën e shtunë vijnë dhe 40 mijë doza të AstraZeneca nga COVAX”’’- tha Manastirliu.
Kujtojmë se në vendin tonë janë vaksinuar grupe të ndryshme , duke filluar nga mjekët dhe infermierët që e morën të parët, tek pensionistët, gazetarët e terrenit, uniformat blu etj.