Kreu demokrat, Lulzim Basha ka vazhduar takimet elektorale në Librazhd ku ka folur edhe me banorë të zonës. Basha tha ase 25 prilli nuk është dita e politikanëve, por është dita e popullit, kur njerëzit do të vendosin me votën e tyre për të ardhmen.
“Mirë se ju gjej! Nga zemra faleminderit për këtë pritje! Zonja dhe zotërinj, të reja e të rinj të Librazhdit, vëllezër dhe motra, kudo që kam shkuar këtë javë, nga jugu në veri, një gjë është fare e qartë, shqiptarët janë të etur për ndryshim. Mezi po presin datën, datën kur vota e shqiptarëve të bashkuar do të bëjë të mundur ndryshimin e vërtetë për të gjithë. 25 prilli nuk është dita e politikanëve, është dita e popullit, dita e qytetarëve, është dita kur ju vendosni me votën tuaj për familjet tuaja, për fëmijët tuaj, për të zgjidhur hallet dhe problemet të cilat ju janë bërë kapicë, për të hequr një herë e mirë lakun nga qafa lakun e varfërisë, e pamundësisë, për të ndaluar largimin e rinisë së Librazhdit dhe për t’i dhënë rinisë së Librazhdit, rinisë që në ditët më të errëta të diktaturës i dha shqiptarëve shembujt e kurajos dhe të trimërisë, rinisë së talentuar të Librazhdit për ti dhënë mundësi për punë, për arsim, për mirëqenie”, tha Basha.
Më tej lideri i opozitës tha se në 8 vite Librazhdi është shkatërruar dhe papunësia ka goditur më rëndë. Basha u shpreh se shqiptarët janë të etur për ndryshimin pasi janë prej vitesh në shkretëtirë.
“Në këtë qytet, në këtë trevë e cila ndonëse ndodhet në mes të kufinjve natyrorë e anës lumenjve, është e diskriminuar, e varfëruar, e vjedhur, e abuzuese. Tetë vite të vështira keni kaluar, dhe unë kam qenë në shtëpitë tuaja, në sipërmarrjet tuaja, tek fermerët e Librazhdit, tek të papunët, tek gratë dhe nënat e Librazhdit të cilat iu them sot e ndjej dhimbjen tuaj për fëmijët që ju largohen, e di se papunësia iu ka goditur më rëndë. Është emocion i madh ta shoh Librazhdin sot kështu sepse ju thashë pak më parë shqiptarët janë të etur për ndryshim, Shqipëria është e etur për ndryshim po askund nuk ndihet më shumë etja se kur je në shkretëtirë”, ka thënë Basha.