Kandidatja për deputete në qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku ka bërë shpesh akuza në drejtim të kundërshtarëve politik. Tabaku pak javë më parë bëri bujë me skandalet që publikonte në lidhje me projektin e shkollës “Sami Frashëri”, e cila po rindërtohet nga Bashkia e Tiranës, pasi u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.Kandidatja për deputete ka qenë edhe nxënëse në shkollën “Sami Frashëri” dhe dukej se akuzat ishin në drejtim të Bashkisë së Tiranës, por jo. Në të njëjtën periudhë kohore me akuzat e përditshme që bënte nga selia e Partisë Demokrarike, kandidatja për deputete rezulton se ka në pronësi një vilë, në një nga resortet më të shtrenjtë të Gjirit të Lalëzit, në kompleksin “Vala Mare”. Por çfarë lidhje ka shkolla “Sami Frashëri” me vilën e Jorida Tabakut.
Vila luksoze është ndërtuar nga e njëjta firmë ndërtimi që po rindërton gjimnazi, pra kompania “StarTek shpk”. Pas marrjes së vilës, Tabaku pushoi së akuzuari kompaninë “StarTek shpk”. Akuzat duket se u zhdukën si me magji dhe nuk kemi dëgjuar më Tabakun që të flasi për aferat korruptive në shkollën që ishte në rikonstruksion nga firma “StarTek shpk”. A është rastësi?
Mjafton një kërkim i thjeshtë online, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, dhe vërtetohet se StarTek sh.p.k, e cila ka ndërtuar “Vala Mar”, është edhe kompania që po ndërton shkollën “Sami Frashëri” në Tiranë.
Vila luksoze e Tabakut ndodhet shumë pranë shtëpive të pushimit të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit të vendit Ilir Meta, të cilët janë rezident prej vitesh në Gjirin e Lalëzit. Mësohet se shtëpia e re e Tabakut ka oborr, parkim të brendshëm, një verandë të stërmadhe, dy kate me disa tualete dhe është e pozicionuar buzë detit.
Kujtojmë se edhe vetë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përfituar një vilë luksoze nga Agron Papuli në kompleksin “Long Hill” në Lundër. Kryedemokrati nuk e ka pranuar asnjëherë se e ka vilën duke thënë se jeton me qira, por nuk ka bër publike një kontrat qiraje.