AC Milan ka arritur të shënojë fitore në ndeshjen ndaj Parmas me rezultat 1:3. dhe të vazhdojë të jetë totalisht në garë për një vend në Champions League, duke ruajtur vendin e dytë në renditje. Zlatan dhe shokët e tij të skuadrës vendosën ritmin që nga fillimi. Ante Rebic e “bombardoi” portën në minutën e tetë pas asistimit të Ibrahimovic e më pas Kessie dyfishoi në të 44-ën.
Pas një ore lojë Milani mori një goditje kur Zlatan Ibrahimovic u ndëshkua me karton të kuq për protesta ndaj gjyqtarit. Suedezi gjatë gjithë kohës kishte ankesa të shumta ndaj arbitrimit. Sulmuesi 39-vjeçar, në një moment e teproi me arbitrin, Fabio Mareska, ndaj të cilit kishte ankesa për mënyrën se si po e gjykonte ndeshjen. Sipas mediave italiane, Ibra i është drejtuar arbitrit me fjalët: “Je gjithmonë ti Mareska”.
Menjëherë pas kësaj, arbitri nuk ka hezituar për ta ndëshkuar, duke e nxjerrë jashtë me karton të kuq. Parma mori zemër nga dalja e liderit të kuqezinjve dhe ngushtoi shifrat, duke shënuar për 1-2 me Gagliolo në minutën e 66. Në pjesën e mbetur të ndeshjes Parma ishte e gjitha në sulm dhe tentoi portën shumë herë, duke krijuar edhe raste të pastra, por goli nuk erdhi.
Nëse nuk shënon do të pësosh dhe Milani gjeti rrjetën e tretë me Rafael Leao, duke certifikuar tre pikët.