Skip to content
Të Gjitha

Tensionohet situata në komisariat/ Deputetet e PD kapen me policët për protestuesit e arrestuar

· 2 min lexim

Tensionet nuk kanë përfunduar ende. Pas lajmit të shoqërimit të 20 protestuesve në komisariat, është bërë e ditur se disa prej tyre janë arrestuar tashmë për “Dhunim të ambienteve publike”.

Nga kamerat e sigurisë disa prej të shoqëruarve kanë rezultuar të jenë pikërisht personat që kanë kryer akte dhune gjatë protestës dhe pikërisht ky ka qenë motivacioni pse policia ka vendosur arrestimin e tyre.

Pikërisht për këtë arsye disa deputetë të Partisë Demokratike kanë pasur përplasje me policët.

Sipas Ballkanweb, deputetët e PD-së kanë kërkuar të takojnë protestuesit brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë, por oficerët e policisë i kanë ndaluar.

Deputeti i PD-së Flamur Noka pasi doli nga Drejtoria e Policisë tha se numri i protestuesve të arrestuar është 7.

Ai tha ndër të tjera se policët e krerët e tyre i kanë gjetur duke konsumuar uiski e vodka.

“E gjithë kupola e policisë la deputetët 1 orë këtu pa përgjigje. Menduam se kishin punë, por kur u ngjitëm sipër çfarë gjetëm? Kupola e drejtorisë, drejtorë e vartës i gjetëm si një tufë derrash të zhgërryer në uiski, vodka dhe red bull. Kemi pamje filmike se si janë dhunuar të ndaluarit”,- tha Noka.

Një nga prindërit e njërit prej protestuesve të shoqëruar tha se djali i tij është me probleme mendore.

“Djalin ma kanë marrë sot në orën 5 e gjysmë. Po ka qenë në protestë. Djali im është invalid me çrregullime mendore”, tha ai.