PS do të bëjë ndryshime në strukturat e saj në qytetin e Shkodrës.
Kështu mësohet se Arvid Osja nuk do të jetë më kryetar në detyrë i PS Shkodër pasi strukturat drejtuese në Tiranë e kanë pranuar dorëheqjen e tij të paraqitur kohë më parë. Në vend të Arvid Osjes tashmë kryetari i ri i PS Shkodër do të jetë Edmond Emini.
Osja qëndroi për pak kohë në krye të PS pavarësisht se kishte paraqitur dorëheqjen deri në momentin që qendra do të emëronte një tjetër drejtues.
Ndërsa Edmond Emini është një emër i njohur në radhët e PS Shkodër. Aktualisht ai është drejtues i shtëpisë së të moshuarve në Shkodër ndërsa këtë pozicion e ka patur edhe para disa vitesh. Siç mësohet, pritet që këto ditë prezantimi zyrtar të bëhet përpara strukturave të PS Shkodër. Pritet që Osja të jetë pjesë e të tjera projekteve të mëdha në radhët e PS.
Por ky nuk është ndryshimi i vetëm që vjen, pasi pritet që në pak kohë, ndryshime të ketë edhe në radhët e drejtorëve rajonal që kanë socialistët në Shkodër. Në fokus janë disa drejtori që janë kritikuar edhe në mbledhjet e strukturave të PS të cilat mund të pësojnë ndryshime.