Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar zgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës ditën e djeshme. Kreu i shtetit nuk ka preferuar të urojë, por thotë se kjo zgjedhje përmbyll kuadrin institucional të vendit dhe garanton qëndrueshmërinë për të realizuar programin qeverisës. Po ashtu, Rama nuk e ka përmendur emrin e Vjosa Osmanit në asnjë fjalë.
Statusi i kryeministrit të Shqipërisë:
“Zgjedhja e Presidentes së re të Kosovës dje nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmbyll kuadrin institucional të vendit dhe garanton qëndrueshmërinë e nevojshme për t’u fokusuar tek puna për realizimin e programit qeverisës! Qoftë një punë e mbarë dhe e suksesshme për popullin!”
Zgjedhja e Presidentes së re të Kosovës dje nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmbyll kuadrin institucional të vendit dhe garanton qëndrueshmërinë e nevojshme për t'u fokusuar tek puna për realizimin e programit qeverisës! Qoftë një punë e mbarë dhe e suksesshme për popullin!
— Edi Rama (@ediramaal) April 5, 2021
Vjosa Osmani u zgjodh dje si presidentja e re e Republikës së Kosovës. Gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve arriti të marrë besimin e Kuvendit pas 3 raundesh. Ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate, duke u bërë kështu gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, si dhe politikania e dytë më e votuar në zgjedhje parlamentare. Në mandatet e kaluara, Osmani ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Evropiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.