Më datë 25 mars të këtij viti, katër efektivë të “Shqiponjave” u pezulluan nga detyra, pasi qëlluan me armë në ajër për ditëlindjen e shefes së tyre. Video e këtij momenti u përhap me shpejtësi dhe 4 efektivët, u pezulluan nga detyra deri në një moment të dytë. Ditën e djeshme, të katër këta policë janë rikthyer në detyrë. Jo më te forcat “Shqiponja”, por janë transferuar në komisariatet e policisë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. Katër efektivët, do të qëndrojnë në detyrë deri në përfundim të hetimeve nga Gjykata e Lezhës. Gjithashtu edhe strukturat e SHÇBA-se kanë filluar procedimin penal për këta punonjës, ndërkohë ndaj tyre ka nisur dhe hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore “Sjellje e rëndë diskretituese”.
Por gjëja që të befason më së shumti, është roli i SHÇBA-së dhe fuqisë që ky institucion ka. Pse SHÇBA nuk ka në dorë të japë masa më të mëdha ndëshkimore për veprimet jo etike dhe aspak profesionale të efektivëve të policisë? Dakord, të nisësh një procedim penal, është një hap i mirë drejt eliminimit të këtyre situatave në të ardhmen dhe mos-përsëritjen e tyre, por a mos jemi vonë? Në Shqipëri, çdo polic e konsideron veten “Zot”, duke mos pasur frikë nga asgjë dhe duke shfrytëzuar shpeshherë dhe uniformën e tyre.
Rasti i Klodian Rashës është i freskët. Policia e Shtetit bëri të pamundurën për të mbrojtur dy efektivët e saj, Nevaldo Hajdaraj dhe Erion Gjore. Çoi njoftimin zyrtar me vonesë, madje dorëzoi plot 3 njoftime të ndryshme nga njëri-tjetri. Policia e Shtetit tha gjithashtu se Klodian Rasha kishte pasur armë, por më pas u vërtetua e kundërta. Policia e Shtetit bëri të pamundurën që të mbrojë dy efektivët e saj, por ngjarja mori përmasa aq të mëdha sa ishte e pafuqishme. SHÇBA bashkëpunoi me Prokurorin e çështjes, me këtë të fundit që rrëzoi poshtë çdo version të dërguar nga Policia.
Pse ju jepet kaq shumë mbështjetje dhe fuqi policëve shqiptarë? SHÇBA jep pezullime minimale, drejtuesit e Policisë së Shtetit i mbrojnë deri në fund, madje dhe duke tentuar manipulimin me anë të njoftimeve me vonesë dhe ndryshimeve të tyre. Madje, dhe duke fshehur të vërtetën. Se pse mbrohen kaq shumë veprimet e padrejta të policëve shqiptarë, vështirë për ta kuptuar. Ose ndoshta mbrohen ata “kokat” që janë më lart, pasi në fund të fundit, e kanë pranuar dhe vetë: “Ne jemi fytyra e Policisë”. GAZETA REFORMA