Mesa duket dy çështje që në një mënyrë a në një tjetër janë përpjekur t’i largojnë nga vëmendja, nuk mund t’i shpëtojnë atyre që kanë ardhur për t’i vëzhguar ato.
Shqipëria është bërë objekt bisede në Parlamentin Evropian dhe kjo jo për mirë.
Dy çështje duhet thënë delikate, siç është ajo e “Air Albania” dhe aeroportit të Vlorës janë hedhur në bisedë në këtë instancë nga deputeti Paul Ruebig, i cili i ka dërguar edhe një letër ditën e sotme përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme e të Sigurisë të BE, Federica Mogherinit.
Me anë të kësaj letre, deputeti drejton dy pyetje, duke u nisur nga raportimet mediatike në Shqipëri për këto raste.
“A përputhen vlerësimet ligjore të këtyre raportimeve mediatike mbi shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës nga Qeveria e Shqipërisë me opinionin ligjor të Komisionit Europian?
Në rast se po: cilat janë veprimet konkrete të Komisionit Europian në dy rastet e lartpërmendura si dhe në përgjithësi në të ardhmen në mënyrë që në Shqipëri të zbatohen rregullat e prokurimit e të konkurrencës dhe kështu të respektohen detyrimet që rrjedhin nga Marreveshja e Stabilizim Asociimit si dhe normat e Organizatës Botërore të Tregtisë?”, shkruan ai ndër të tjera.
LETRA E PLOTË
Pyetje parlamentare bazuar në nenin 130 të Rreg. PE
Drejtuar: Përfaqsueses së Lartë per Politikën e Jashtëme e të Sigurisë të BE znj. Federica Mogherini/Komisioni Europian
Nga: Dr. Paul Ruebig, deputet i Parlamentit Europian
Lënda: shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës nga Qeveria e Shqipërisë
Teksti: Bazuar në shumë raportime mediatike në Shqipëri kanë ndodhur shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës lidhur me krijimin e linjës ajrore “Air Albania” si dhe me ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Ato tregojnë se në këto dy raste përcaktimet e Marreveshjes së Stabilizim Asociimit janë shkelur; po ashtu ato bien në kundërshtim me normat e Organizatës Botërore të Tregtisë (ËTO). Më tej, sipas raportimeve mbi këto raste, organet mbikqyrëse në Shqipëri nuk e kanë përmbushur rolin e tyre.
Në lidhje me sa më lart ju drejtojmë këto pyetje:
– A përputhen vlerësimet ligjore të këtyre raportimeve mediatike mbi shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës nga Qeveria e Shqipërisë me opinionin ligjor të Komisionit Europian?
– Në rast se po: cilat janë veprimet konkrete të Komisionit Europian në dy rastet e lartpërmendura si dhe në përgjithësi në të ardhmen në mënyrë që në Shqipëri të zbatohen rregullat e prokurimit e të konkurrencës dhe kështu të respektohen detyrimet që rrjedhin nga Marreveshja e Stabilizim Asociimit si dhe normat e Organizatës Botërore të Tregtisë?
Dr. Paul Ruebig (firma)
Datë 13 shkurt 2019