Padyshim që mjekësia është profesioni më human dhe si i tillë edhe personat që e ushtrojnë atë me pasion janë të tillë.
Mbrëmja e sotme në “Dritare me Rudinën” iu është kushtuar pikërisht këtyre profesionistëve ku nën titullin “Kush i vret mjekët”, janë rikthyer disa nga ngjarjet që kanë bërë bujë në opinionin publik.
Një ndër to ka qenë edhe tentimi për vetëvrasje i mjekut, Tefik Zhurda, i cili mori vendimin drastik pas vdekjes së 15-vjeares, Blerta Pepa në sallën e operimit.
Ngjarja ka ndodhur në maj të vitit 2017, ku Pepa është futur në sallë pasi kishte dëmtuar meniskun e gjurit, por fatkeqësisht doli e vdekur prej andej. Adoleshentja ndërroi jetë dhe asokohe u tha se vdekja erdhi si pasojë e hipertermisë malinje.
I gjendur para presionit të familjarëve të vajzës, të cilët kërkonin një fajtor, ai i injektoi vetes preparat lënde anestezie, ku dhe sot e kësaj dite ndodhet mes jetës dhe vdekjes në gjendje neurovegjetative, e thënë ndryshe paaftësi për të jetuar.
Edhe pse është dërguar edhe në Itali për kurim, përsëri nuk ka ndryshuar asgjë, përveç faktit se bashkëshortja e tij i qëndron tek koka me shpresën se një ditë mund të zgjohet.