Është zhvilluar sot seanca parlamentare për konstituimin e qeverisë së re të Kosovës. Në një prononcim për mediat, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, ka folur për këtë ngjarje dhe shanset që qeveria e tij e dytë të votohet sot.
Kurti thotë se po bëhen gjithë përgatitjet dhe gjasat janë që sot qeveria e re të marrë miratimin nga Parlamenti i ri.
“Jemi duke bërë përgatitjet. Shpresojmë më të mirën dhe gjasat i kemi shumë të mira”, ka thënë Kurti.
Në seancën e konstituimit është bërë emërimi i anëtarëve të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve.
Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë ulëse.
Një e veçantë që u vu re nga seanca e sotme, ishin deputet e zgjedhura të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Listës “Guxo”, të cilat u paraqitën në seancë të veshura me ngjyrë të bardhë.
Para seancës, deputetet si Vjosa Osmani, Arbërie Nagavci e të tjera kanë shpërndarë në rrjetet sociale mesazhe se “sot do të jetë ditë e bardhë”.
Gjithashtu kujtojmë se mëngjesin e kësaj të hëne para se të niste seanca e konstituimit të qeverisë së re, gjithsej 6 ministra dhanë dorëheqjen.
Bëhet fjalë për ministrat Besnik Tahiri, Besian Mustafa, Driton Selmanaj, Agim Veliu, Anton Quni dhe Vlora Dumoshi.
Arsyeja pse ata janë dorëhequr është thuajse e detyruar, pasi në Kosovë u mbajt seanca konstituive e Kuvendit dhe të sipërpërmendurit janë deputetë të zgjedhur më 14 shkurt.