Detaje të reja janë zbardhur nga ekzekutimi i Edmond Koçit, mëngjesin e djeshëm në Durrës.
Policia njofton se në vendngjarje ka gjetur 30 gëzhoja automatiku. Ndërkohë, gjatë natës së kaluar janë shoqëruar në komisariat 23 persona, për t’u pyetur lidhur me ngjarjen e rëndë kriminale.
Gjthashtu nga policia mësohet se ekzekutorët kanë qenë vetëm 3 metra larg viktimës. Arma, që dyshohet se është përdorur në krim e që u gjet në mjetin e djegur në Sukth, është AK 47 dhe është çuar në laborator.
Një nga pistat kryesore ku po heton policia është ajo e dyshimit për konflikte të vjetra të viktimës pasi Çekiçi ka qenë pjesë e bandës së Durresit dhe vazhdonte të ishte një ndër eksponentët kryesorë të botës se krimit në Durrës.
Dinamika e ngjarjes:
Viktima udhëtonte me mjet me shofer dhe një automjet tjetër i ka prerë rrugën. Mësohet se nga mjeti ka dalë shoferi i viktimës për të pyetur se çfarë kishte, ndërkohë që një nga personat ne mjetin tjetër ka qëlluar për vdekje Edmondin.
Fill pas kësaj, ata janë larguar me një mjet tip ‘Benz’ me targa të vjedhura në Tirane, i cili është braktisur dhe djegur nga autoret në Katund Sukth, Durrës.
Kush është Edmond Koçi?
I njohur edhe si “Mond Çekiçi”, ai konsiderohej nga policia e Durrësit si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezultonte të ishte dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë.
Në muajin maj 2009 Edmond Koçi, u dënua me 2 vite burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”.
Në një raport të ministrisë së Brendshme të botuar në vitin 2016, thuhej se “Mond Çekiçi”, është pjesë shoqërore me Lulzim Berisha “Luli”, Emiljano Shullazi “Mili”, Plarent Dervishaj “Lenti”, Marjel Fierza, Julian Meçaj, Bashkim Haxhiaj dhe persona të tjerë.