Sot pritet vaksinimi i 250 mjekëve kosovarë në Shqipëri. Kjo do të bëhet e mundur fal arritjes së marrëveshjes ndërmjet institucioneve shëndetësore të të dyja vendeve.
Dje Shqipëria i dhuroi Kosovës 500 doza, me të cilat pritet të vaksinohen mjekët. Lajmi u bë i ditur nga vetë Udhëheqësi i Federatës Sindikale të Shëndetësisë Blerim Syla, i cili tha përmes një njoftimi për media se 250 punëtorë shëndetësorë tjerë do të vaksinohen në ditët në vijim.
Ky vendim është thënë të jetë marrë pas takimit të zhvilluar në mes të delegacionit të FSSHK-së dhe ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Nait Hasanit. Në takim është thënë të jenë diskutuar çështje teknike të vaksinimit. Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.
Ky shtet pritet të përfitojë vaksinat e para nga COVAX – skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra. Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.
Edhe pse po premtohet për doza, procesi i vaksinimit po ecën me ritme të ngadalta. Momentalisht në Kosovë kapacitetet e spitaleve Covid janë tejmbushur, duke e vështirësuar menaxhimin nga ana e stafit mjekësor.
Edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se nëse vazhdohet me mbingarkesën e spitaleve, do të ketë vështirësi të menaxhimit të rasteve klinike. Të premten, më 19 mars, Kosova ka regjistruar numrin më të lartë të infektimeve ditore gjatë vitit 2021, përkatësisht 828 raste të reja.
Prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 80.621 raste të infektimit. Prej tyre 1.744 pacientë kanë vdekur.