Kryeministri Edi Rama, ka prezantuar këtë të premte programin e Partisë Socialiste për shërbimet për qytetarët dhe biznesin.
Vetëm një muaj larg zgjedhjeve, kryeministri Rama vijon sërish me shifrat e “fryra” dhe aspak reale për realitetin në vend. Pas të rinjve korçarë që merrnin mijëra euro në muaj, sot ai shtoi një tjetër fakt, se mijëra punëtorë të huaj janë duke ardhur në Shqipëri pasi, sipas kryeministrit të rinjtë “e gjejnë punën nga kafenetë”.
‘’Ka nisur ardhja punëtorëve të huaj në një vend ku shumëkush, ndër ata që thonë se duan punë duke qëndruar në kafe, ka vende pune që po e marrin të huaj. Nuk ndodh vetëm në Shqipëri.”, tha Rama.
Ndërkohë, nëse iu referohemi shifrave të publikuara nga INSTAT të dy viteve të fundit, 46% e shqiptarëve të larguar nga vendi janë të rinj, pasi nuk shohin e të ardhmen në vendin e tyre. 10% e studentëve preferojnë studimet jashtë vendit për kushte më të mira, ndërsa 94% e tyre nuk pranojnë të kthehen më në Shqipëri.
Më tej Rama u ndal dhe tek dixhitalizimi dhe shërbimet që tashmë merren online. Sipas Ramës, para 7 vitesh online ishin vetëm 1% ndërsa sot sipas tij janë 95%.
Teksa po diskutonte për lehtësirat që do të ofrohen për shërbimet e bizneseve dhe qytetarëve, Rama foli dhe për “timonin”, një nga elementët më të rëndësishëm të fushatës së tij në 2017-ën.
Pjesë nga reagimi:
1% ishin shërbime online deri para 7 vjetësh. 95% janë sot, por shikoni çfarë ndryshimi. Kur ne e kemi filluar revolucionin digjital kemi numëruar gjithsej 51 mijë aplikime. Çfarë janë 51 mijë aplikime për shërbime kryesisht të pamarra asokohe, aplikime të mbetura në icloud në krahasim me 7.7 milionë aplikime të bëra në vitin 2020 me përgjigje të marrë
Punonjësit e shtetit nuk presin njerëzit me tufa si cjapi tek kasapi por mbledhin letrat dhe përmes rrugës digjitale i cojnë në pikën e vetme ku ju shkoni për të marrë shërbimin. Ky është revolucioni i cuarjes së tepsisë për scrap në raportin shtet qytetar, ky është revolucioni që nuk bëhej dot me të tjerë në prehër.
Revolucioni në mandatin e tretë do ta shndërrojë këtë vend në një vend ku shteti është i tëri në xhepin e qytetarit, jo për t’i marrë nga xhepi por për të marrë nga smartphone i tij kërkesën dhe për ta kthyer në një dokument të plotësuar fakt në smartphonen e tij, për të voglin dhe për të madhin, për të riun e për të moshuarin, për cdonjërin në cdo pikë kontakti me shtetin.
Shqipëria sot, jo se e them unë, jo se e themi ne por në bazë të raporteve të organizatave më prestigjoze në botë. Duke parë faktet dhe natyrisht duke i lidhur me veprat se këto që po them, nuk janë nga hëna por nga jeta e miliona ndërveprimeve që kanë ardhur si rezultat i 1.8 milionë shqiptarëve të regjistruar dhe aktivë në platformën e-albania.
Kush mund ta cojë përpara këtë? Ata që gjithë ditën nuk kanë nxjerrë asnjë mësim nga Pse-ja e madhe e shqelmave të popullit që i nxori jashtë zyre? Sot kthehen me tabor krushqish njëri më i njohur se tjetri për një epokë të errët me të njëjtin program ku ndryshon vetëm kursi i këmbimit.
Sot janë 4.185.000 aplikime për shërbime pa patur mundësi për zgjatje dore për të marrë lekë dhe tërheqje dore me lekët e marra bakshish. Nuk janë vetëm këto për qytetarët e thjeshtë.
Janë 1.307.074 shërbime për biznesin e qytetarët. Sa kohë është kursyer? 300 vjet minuta në radha që i kemi kursyer përmes revolucionit digjital për ata që i kanë shfrytëzuar mundësitë. Pa llogaritur paratë mbidorë e nëndorë.
Vazhdojmë me biznesin që kryen të gjithë ciklin që i duhet në raport me shtetin ndërsa deri dje marrëdhëniet biznes-shtet ishin një kalvar kontaktesh.