Pas përplasjes se deputetit demokrat Luçiano Boçi dhe biznesmenit Gjergj Luca, kanë dalë pamjet e sherrit mes tyre. Në videon që po qarkullon shihet qartë se si të dy shajnë dhe shtyjnë njëri tjetrin.
E gjitha nisi me një pretendim të biznesmenit Luca, se deputeti demokrat i kishte vjedhur telefonin. Në një prononcim për mediat, Boçi i mohoi këto akuza, ndërsa shtoi se Luca e kishte kërcënuar me jetë.
Lidhur me këtë ngjarje të ditës së djeshme, policia shoqëroi tre persona të cilët kanë qenë dëshmitarë gjatë përplasjes fizike mes kandidatit për deputetë të PD-së dhe biznesmenit të njohur nga Lezha.
Po ashtu policia ka sekuestruar pamjet nga kamerat e lokalit dhe pritet zbardhja e plotë në ditët në vijim.
Ngjarja:
Ngjarja ndodhi mesditën e kaluar, në Labinot të Elbasanit, aty ku Luca ushtron aktivitetin e biznesit të tij, ndërsa Boçi shkoi për takim me banorët. Në një deklaratë që ka dhënë për mediat, Boçi tha se Luca e ka kërcënuar me jetë, duke e cilësuar këtë sulm me motive politike.
Vetë biznesmeni tha se Boçi e ka ofenduar dhe madje e ka provokuar. Sipas tij, Boçi e ka qëlluar teksa po futej në një lokal duke i marrë edhe telefonin. Në fjalën e tij, Luca kërkoi publikimin e pamjeve të sherrit, duke shtuar se ato do të vërtetojnë pafajësinë e tij.
Reagimi i Lucës pa sherrit:
“Rasti i parë që ndeshem me një politikan rrugaç. Po hyja të pija një kafe, filloi duke fyer, i thashë çfarë ke o zotëri, më ler në punë time, nuk të kam bërë gjë. Filloi duke gjuajtur, me çdo kusht donte incident. Unë në punë time, duke hyrë në lokal, të pi një kafe dhe ky, të provokojë dhe shajë me fjalë që unë nuk jam mësuar. Boçi ishte duke folur me një njeri te dera, unë isha duke pirë kafe. Më ka grabitur dhe telefonin, më kanë marrë telefonin dhe nuk ma japin. Unë uroj që kjo të zbardhet, policia t’i ketë marrë kamerat dhe të zbardhë që ky (Boçi) jo vetëm që është rrugaç, por është dhe grabitës.”