Një shtetas 52-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Kakavijë, i cili akuzohet për trafik armësh dhe municionesh. Në pranga ka rënë Idajet Hasani, banues në Cerrik, të cilit iu gjetën në makinë një çantë me plot 49 fishekë brenda saj.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Goditet një rast i tentativës së trafikimit të municionit.
Sekuestrohen 49 fishekë dhe 1 automjet.
Bie në pranga poseduesi i municionit.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, mjetin tip “Ford” që drejtohej nga shtetasi I. H., 52 vjeç, banues në Cerrik.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare dhe shërbimet e Frontex-it, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjetën 49 fishekë luftarak (të kalibrit 9mm) në një çantë dore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 49 fishekë dhe automjeti.
Në përfundim të vepimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër, u arrestua në flagrancë shtetasi I. H. për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municionit”.