OBSH ka shpallur Coronavirusin pandemi dhe deri tani janë regjistruar 4,607 viktima dhe 125,633 të infektuar në 121 shtete.
Në vendin tonë janë regjistruar 15 të prekur dhe 1 viktimë në 3 ditë, teksa janë kryer analizat për 238 raste të dyshuara.
Teksa është prekur pothuajse gjithë Ballkani, shteti i Kosovës vijon t’i rezistojë virusit të rrezikshëm dhe deri tani nuk ka asnjë person të infektuar.
Mirëpo, kjo nuk e ka ndaluar qeverinë që të marrë masa paraprake, teksa duket se gjendja në vendet e tjera, por edhe shpallja e pandemisë kanë shërbyer si mësim për të.
Kështu, në mbledhjen e qeverisë këtë të mërkurë është vendosur mbyllja e institucioneve arsimore deri më 27 mars, pezullimi i përkohshëm i linjave ajrore dhe tokësore dhe pezullimi i të gjitha aktivitetet publike.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dolën mbrëmjen e sotme në një video live në Facebook, për të shmangur grumbullimet nëpër konferenca.
U bë me dije se numri i të prekurve ka shkuar në 15, ndërsa Rama përgënjeshtroi mjekun i cili tha se ka vizituar të infektuar pa veshje speciale, si edhe paralajmëroi një sërë masash.
Rritet numri i të infektuarve në Shqipëri, dalin rezultatet e analizave të stafit mjekësor
“Vizitova të infektuarit pa veshje speciale”, Rama publikon foton dhe përgënjeshtron mjekun
15 të infektuar në vendin tonë, Rama paralajmëron marrjen e masave të tjera
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.