Sot bëhen 12 vite që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, kur më 17 shkurt 2008 në orën 15:39 minuta, Kosova u bë shtet i pavarur. Me një pergamen mëse 200-vjeçare presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi do të vulosnin atë ditë përfundimisht bazat e lira të një shteti të ndërtuar mbi sakrifica.
Ish-ushtari i UÇK-së Muhamer Ibrahimi arriti të dizenjonte flamurin e dytë(pasi atij kuq e zi) të shqiptarëve- ku 6 yjet paraqisin komunitetet që jetojnë në Kosovë, ngjyra e arit paraqet resurset dhe popullsinë e re që ka vendi, kurse e kaltra aspiratat e Kosovës për tu përfshirë në integrimin euro-atlantik. E gjendur në zemër të rajonit, Kosova pulson duke i dhënë kuptim pozicionit gjeografik që ka e duke u munduar që historinë e ndërtuar në bazë të dhimbjes shumëvjeçare ta kthente në sukses e zhvillim.
Në këto vite nuk mund të themi se politikëbërja e Kosovës ka qenë në gjendjen e saj më të mirë, por ka bërë më mirë se shumë vende të tjera. Në 5 nga 12 vite shtet i lirë Kosova ka patur në krye të saj një grua, Atifete Jahjaga ,ndërsa së fundmi me zgjedhjen e koalicionit qeverisës VV-LDK për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, dy femra do udhëheqin punën dhe do vendosin rendin e ditës në Kuvend: kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe nënkryetarja e parë e Kuvendit Argërie Nagavci.
Padyshim kjo nuk është gjendja më e mirë politike që po kalon vendi, nisur nga zhvillimet e fundit, megjithatë e ardhmja duket më premtuese.
Kosova është padyshim një vend shumë i pasur sa i përket resurseve natyrore dhe sidomos pasurive nëntokësore, veçanërisht me ar dhe argjend. Pasuritë nëntokësore gjithnjë janë parë si një motor i zhvillimit ekonomik, por disa mungesa legjislative dhe kujdesi qeveritar e kanë bërë pothuajse të pamundur investimin në këtë industri.
Sa i përket popullsisë, Kosova gëzon popullsinë më të re në Evropë, teksa mbi 40% e popullsisë është nën moshën 25 -vjeçare. Edhe në vitet pas Pavarësisë, vendi nuk ka arritur t’i shpëtojë fenomenit të emigrimit, i nisur masivisht gjatë luftës.
Kjo fotografi e publikuar gjatë vitit të shkuar u bë virale në mediat sociale nisur nga vetë historia prekëse që fshihet pas saj. Gruaja në foto është fytyra e shumë nënave, por jo vetëm, të Kosovës ku plagët e luftës janë ende të hapura e kullojnë gjak. Burri dhe katër djemtë e saj(më i vogli 14 vjeç) u rrëmbyen në 27 mars 1999 gjatë një sulmi ushtarak nga serbët. Prej asaj dite, nëna nga Kosova e shërben darkën për të gjithë anëtarët e familjes, teksa në shtëpinë e saj asgjë nuk është lëvizur.
E megjithatë kultura: muzikë, kinematografi, sport etj., është fusha në të cilën Kosova ia ka dalë në kuptimin e plotë të fjalës, duke arritur të përfaqësohet denjësisht në botë. Kosova gjithnjë ka ditur të bëj muzikë të mirë, duke sjellë prurje të veçanta çdo herë e më shumë. E përtej faktit që në tregun muzikor shqiptar ka emra me të vërtetë të talentuar, mund të ndalemi në tre artiste të cilat këto vitet e fundit janë bërë “ambasadore të Kosovës në botë”.
Dua Lipa dhe Rita Ora prej disa vitesh janë bërë pjesë e tregut ndërkombëtar, duke njohur suksese botërore. Kujtojmë se Dua Lipa vitin që lamë pas fitoi 2 çmime Grammy, duke shënuar kështu ndër hapat më të mëdha në karrierën e saj. Po ashtu, prej 2 vitesh Dua Lipa ka organizuar në Prishtinë festivalin më të madh ndërkombëtar të muzikës në trojet shqiptare ‘Sunny Hill Festival’, duke ia dalë të ngjis në skenë emrat më në zë të muzikës botërore, si: Miley Cyruse, Martin Garrix, Calvin Harris etj. Qëllimi i këtij festivali është promovimi i Kosovës, ndërsa të ardhurat prej tij shkojnë për bamirësi.
Sa i përket Era Istrefit, ajo shënoi një sukses të madh në karrierën e saj me këngën Bonbon, duke numëruar 722 M klikime. Menjëherë më pas, Era në bashkëpunim me Will Smith dhe Nicky Jam kënduan himnin e Kupës së Botës 2018. ‘Live it up’ u këndua më 15 korrik të atij viti nga shqiptarja para 80 mijë tifozëve në stadiumin ‘Luzhniki’ në Moskë, teksa të gjithë sytë e botës ishin të drejtuara nga ky stadium, ku luhej finalja Francë-Kroaci.
E nëse do flasim për triumfe të Kosovës përgjatë këtyre 12 viteve, padyshim duhet të hedhim sytë nga sporti. Krijimi i Kombëtares së Futbollit është padyshim një ndër sukseset më të mëdha, pas një ‘lufte të gjatë’ me Serbinë që nuk pranonte antarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, përsa kohë që nuk njeh as pavarësinë e saj. E megjithatë Kosova do të antarësohej përfundimisht në”qeverinë” me të lartë të futbollit europian UEFA më 3 maj 2016, në kongresin e mbajtur në Budapest. Një përfaqesim i denjë është arritur nga kjo përfaqesuese e cila edhe pse ka rreth 3 vite që është pjesë e futbollit duket sikur ka me dekada të tëra në fushën e blertë. Është një përfaqesuese me një të ardhme të ndritur e me talente te reja që po shkëlqejnë në çdo vend të Europës e që kërkohen me ngulm nga ekipe te mëdha europiane për t’i bërë pjesë të tyre.
Vlen të përmendim një moment historik, ku Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri ngritën në peshë zemrat e të gjithë shqiptarëve më 22 qershor 2018. Në një ndeshje të Zvicrës kundër Serbisë për Kupën e Botës, të dy shqiptarët arritën të shënonin, duke i festuar golat e tyre me veprimin më identifikues të shqiptarëve : shqiponjën dykrenare. Këta gola do cilësoheshin aso kohe nga mediat e huaja si ‘golat më politikë në historinë e Kupës së Botës’.
Nuk mund të lihet pa përmendur as Majlinda Kelmendi, xhudistja e cila ka shënuar një sërë suksesesh duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Më 7 gusht të 2016 Kelmendi fitoi medaljen e parë të artë në xhudo.
Ndonëse mundësitë ekonomike janë të vogla dhe nuk i kanë dhënë shumë mundësi kinematografiksë shqiptare në përgjithësi, dhe asaj në Kosovë veçanërisht, duhet të theksojmë se në këto 12 vite shqiptarët e Kosovës ia kanë dalë më së miri të dëshmojnë se ndonjëherë investimi në pasion është më i madh se çdo investim tjetër. Filmat e tyre ia kanë dalë të konkurojnë fuqishëm në festivalet ndërkombëtare. Filmi “Shok” është arritja më e madhe e kinomatografisë së Kosovës, i nominuar për Oscar në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër.
E së fundmi, për të ardhur te turizmi, i cili duket një ndër sektorët më premtues të Kosovës, ashtu sikundër në të gjitha trojet shqiptare nisur nga ajo çka natyra u ka falur. Ky sektor është në rritje çdo vit: ndonëse Kosova është një hapësirë e vogël gjeografike, motivet natyrore dhe njerëzore që ka ofrojnë mundësi të zhvillimit të disa llojeve të turizmit. Kosova me sipërfaqe rreth 10 mijë metra katrorë posedon një mijë vende të cilat konsiderohen atraktive për tu vizituar. Nëse do ndaleshim te secili prej tyre padyshim do na duheshin shumë ditë, por mund të shijoni disa bukuri të Kosovës nëpërmjet këtyre fotove:
Të gjitha premisat janë që Kosova të arrijë shumë më shumë nën politikat e duhura e nën mbështetjen e duhur që duhet të marrë nga Shqipëria. Historia ka treguar se dhe politikat më të ashpëra të huaja mund të ndajnë maksimalisht, por jo kombe. Gëzuar 12 vite shtet i lirë Kosovë!